E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR afron pozicionet e politikës – kompromis për proporcionalin, bisedime për listat e mbyllura

Duke ditur se Gjinushi i druhet së tepërmi ndryshimit të sistemit zgjedhor, për faktin se edhe me sistemin aktual, partia e tij u përball me një nga dështimet më të mëdha gjatë zgjedhjeve vendore të 2007-s, dhe sistemi i ri mund të çojë edhe në rritjen e pragut elektoral, tani po orvatet për tu futur në debatin për reformimin e sistemit zgjedhor në përpjekje për të konsideruar partinë e tij si faktor të rëndësishëm. Në këtë kuadër, i njohur edhe si teologu i konfliktit, Gjinushi po përpiqet ta ngjizë atë edhe në debatin për reformën zgjedhore, ku në dukje partitë politike po shkojnë drejt një konsensusi të gjerë. Dy partitë e mëdha kanë rënë dakord për të mbështetur një sistem proporcional me lista të mbyllura, ndërsa si të pakënaqura janë shprehur disa partitë e vogla ku në mënyrë të veçantë, ato të opozitës i druhen se me listat e mbyllura mund të rritet autoritarizmi i Ramës në përcaktimin e listës emërore, ç’ka do të thoshte rrënim për partinë e Gjinushit. Ndërkaq, dje Gjinushi kërkoi t’i jepet fund deformimit të modeleve zgjedhore. Në kuadër të debateve për reformimin e ligjit elektoral, për kreun e PSD-së e rëndësishme është arritja e standardeve nëpërmjet listave zgjedhore, kartave të identitetit dhe sistemit zgjedhor. “Përsa i takon sistemit zgjedhor aktualisht janë dy opcione, njëri është modeli gjerman që lidhet dhe me modelin që kemi ne në Kushtetutë, ndërsa janë dhënë argumentat pse një shumicë dërrmuese partish e përkrahin këtë model dhe cilat janë përparësitë e tij. Për këtë model ka vetëm një konceptim që lidhet me problemin e listave të hapura apo të mbyllura, që opinionit i intereson pak”, theksoi ai. Gjithashtu, në kuadër të mendimeve për këtë çështje, shtoi ai është folur edhe për një model proporcional rajonal, që është modeli spanjoll. “Por, në çdo model ne duhet të shohim specifikat e një vendi pa e deformuar vetë modelin”, tha ai. Përsa i takon mendimit të ODIHR-t, Gjinushi tha se kjo organizatë është shprehur kundër listave të hapura. “Ndërkohë që ODIHR vazhdon të mbetet kundër listës së hapur, themelore është që modelet nuk duhet të deformohen më. Një palë pretendojnë se lista e hapur deformon gjermanin, kurse spanjolli i zbatuar në Shqipëri është një deformim i proporcionalit. Ndërkombëtarët duan një sistem të pastër dhe modeli gjerman është numri një”, theksoi më tej Gjinushi. Ndërkaq, Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, deklaroi se opsioni më i diskutuar për sa i përket sistemit zgjedhor mbetet sistemi proporcional rajonal i korrektuar, i cili zhduk protagonizmin dhe lejon garën e partive dhe garën e individëve brenda partive. Sipas tij, me një variant të tillë zhvlerësohet diskutimi për listat, pra në një proporcional rajonal me zona të mëdha dhe me 7 ose 8 deputetë për çdo zonë, çështja e listave nuk ka asnjë kuptim.
Reforma zgjedhore-PDK: Reforma të jetë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale/Partia Demokristiane ka shprehur dje se reforma elektorale nuk mund të jetë më monopol i dy partive të mëdha dhe se mazhoranca duhet të mbajë një qëndrim të saj konsensual në bisedimet me opozitën, për të gjetur më pas një zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka përsëriti qëndrimin se PDK përkrah çdo sistem që garanton votën e lirë të qytetarëve, që eleminimon skemat manipuluese dhe që merr në konsideratë cdo votë të dhënë për partitë politike. Ndoka shprehu qëndrimin e partisë së tij, mbi debatin zgjedhor duke theksuar rëndësinë që ky debat të jetë gjithëpërfshirës dhe me konsensus politik, në mënyrë që të kanalizohet për miratim në parlament brenda muajit të ardhshëm. Nërkaq, anëtari i kryesisë, Anton Gurakuqi, i cili duke vlerësuar parimet demokratike dhe qytetare të zhvillimit të debatit politik në PDK, hodhi poshtë të gjitha spekullimet mediatike lidhur me qëndrimet e tij politik ndaj PDK dhe lidershipit të saj. Gurakuqi përsëriti qëndrimet e shprehura prej tij në mediat vizive se në PDK nuk ka grupazhe dhe as kërkesa për mocione e kongres të jashtëzakonshëm dhe se ai mbështet pa rezerva politikat zyrtare të ndjekura nga kryetari dhe kryesia e partisë. Të gjithë të pranishmit në mënyrë unanime ndanë të njëjtat vlerësime për frymën bashkëpunuese dhe demokratike në të gjitha strukturat e PDK-se, si dhe evidentuan mbështetjen në rritje të elektoratit, të opinionit publik dhe të partnerëve ndërkombëtarë ndaj qëndrimeve politike dhe aktivitetit politik të PDK.
Republikanët: Listat e hapura nuk cënojnë asnjë parim dhe standart ndërkombëtar/Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, deklaroi dje, gjatë një prononcimi për mediat, se PR do të vazhdojë të mbetet pro listave të hapura përsa i takon reformës zgjedhore, pasi është i vetmi asyetim që nuk cënon asnjë parim dhe asnjë standard ndërkombëtar. Duke informuar mbi takimin e zhvilluar në kuadër të reformës elektorale, me përfaqësues të OSBE-OHDIR-it, Madhi deklaroi se “u parashtruan të gjitha pikëpamjet, të gjitha angazhimet dhe argumentat për të kryer një proces zgjedhor, i cili do të realizonte të gjitha standardet e kërkuara nga OSBE-ODHIR-i”. Gjithashtu, Madhi u shpreh se në përfundim të konsultimeve me të gjithë faktorët politikë, përfaqësuesit e OSBE-së do të shprehen me një raport të posaçëm. Lidhur me çështjen mjaft të debatuar të listave zgjedhore, Madhi theksoi se “listat e hapura janë një standard demokratik, pasi nëpërmjet garës së konkurrimit, bëhet edhe përzgjedhja, e cila bazohet te vullneti popullor”. “Ne nuk përjashtojmë edhe argumentat që ofron pala tjetër, lidhur me qëndrimin për të patur listat e mbyllura, por ndërkohë ata nuk kanë rakorduar qëndrimet për këtë çështje. E rëndësishme është që në çdo rast, sistemi të përkthehet me votën popullore”, tha Madhi. Sipas tij, republikanët dhe partitë e vogla kanë përzgjedhur që të vijnë në parlament të mandatuar nga populli dhe jo nga kryetarët e partive e as nga forumet politike të partisë. Një mandat, i cili është një votëbesim nga populli, sigurisht ka mbështetjen edhe më të gjerë, edhe në konceptin e një demokracie”, shprehu më tej Madhi.
Pollo: Të nisë nga puna komisioni për reformën zgjedhore/Kryetari i PDR-së, njëherësh ministër i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo ka deklaruar dje se duhet të nisë nga puna komisioni për reformën zgjedhore dhe se nevojitet punë intensive deri në finalizimin e tij, c’ka përkon me samitin e NATO-s në Bukuresht. Ministri Pollo vuri në dukje se duhet të mblidhet urgjentisht, duke e konsideruar sit ë vetmen mënyrë institucionale ku të gjithë faktorët politikë të shprehin dhe të diskutojnë propozimet e tyre. Sipas tij, vetëm mbi këto baza mund të shkohet në parlament, pasi anashkalimi i këtij komisioni do të ishte një gabim i madh". Përsa i përket sistemit zgjedhor, Pollo shprehu bindjen se “nuk do të ketë ndonjë divergjencë shumë të madhe, pasi e rëndësishme është që të gjitha partitë politike të bien dakord që duhet të eliminohet fenomeni i dushkut, i përdorur në mënyrë të ekzagjeruar në zgjedhjet e mëparshme, duke filluar që nga viti 2001”. Ndërkohë Pollo shtoi se “përsa i takon çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me këtë reformë, ka hapësirë për të biseduar dhe mendoj se do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët”. “Kjo nuk është e lehtë, por është e mundshme”, përfundoi Pollo
Milo: OSBE propozon një sistem zgjedhor që merr në konsideratë edhe të vegjlit/Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi dje, se OSBE do të inkurajojë një proces të reformës zgjedhore, që do të ketë parasysh edhe interesat e partive të vogla. Duke informuar mbi takimin e zhvilluar një ditë më parë të disa krerëve të partive parlamentare me përfaqësuesit e OSBE-së, Milo vuri në dukje se “nëse do të zbatohet një sistem zgjedhor si në formën e sistemit proporcional të personalizuar, ashtu edhe si sistem proporcional rajonal, por që ka në konsideratë edhe një listë kombëtare proporcionale, atëherë kjo do të bënte që të përputheshin të gjitha interesat e partive të vogla dhe askush nuk do të ndihej i diskriminuar”. Përsa i takon kërkesave të parashtruara në këtë takim, Milo theksoi se kanë parashtruar kërkesat e përhershme, që kanë të bëjnë me çështjen e listave, çështjen e sistemit, pragut elektoral dhe të gjitha elementet themelore që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. “Ne ishim shumë të qartë në atë që kërkonim, ashtu sikurse mendoj, se edhe përfaqësuesit e OSBE-së në fund të ditës, kanë marrë një pasqyrë të qartë të qëndrimeve nga të gjitha partitë, dhe për rrjedhojë na dhanë garancitë e nevojshme që do të inkurajojnë një proces të reformës zgjedhore, që do të ketë parasysh edhe interesat e partive të vogla”, shtoi ai. Në përfundim, ai theksoi se sistemet janë të mira dhe ato janë krijuar për t’u zbatuar me kushtet konkrete të çdo vendi, kështu që çdo përpjekje për të bërë arnime apo kombinime, gjithmonë mund të sjell dizekuilibre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›