Topi: Institucionet po fitojnë imazhin e ri, si garante të shtetit ligjor
Presidenti i Republikës, njëherësh kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, ka mbështetur ndërprerjen e mandatit të 14 kryetarëve të gjykatave, që u kishte mbaruar mandati, si një provë e parë e reformës së thellë që duhet të pësojë sistemi gjyqësor. I ftuar në emisionin “Top Shoë”, kreu i shtetit tha se me reformimin që u është bërë kompetencave, “KLD-së i është hequr njolla që etiketohej si një institucion në duart e politikës”. “Politika është thirrur në skenë, pra të gjitha partitë politike parlamentare janë ulur në një tryezë fatmirësisht dhe po bashkëpunojnë për të reformuar këtë sistem. Të gjithë kemi thenë që sistemi i drejtësisë ka vuajtur rëndë nga sëmundja e korrupsionit. Ka ligje të shumta, po kërkohet që këto ligje të vijnë plotësisht në standarde dhe unë besoj që ky moment duhet të shikohet si moment bashkëpunimi dhe kurrsesi për të nxjerrë në pah edhe kontradikta që ndonjëherë amplifikohen në mënyrë artificale. Unë jam që gjithçka të vendoset pikërisht në ato standarde që kanë vendet që ne mund t’u referohemi. Pra të mos ketë një klimë paradoksale që ne të gjithë flasim çdo ditë për nevojën e integrimit në Bashkimin Europian dhe të mos u referohemi këtyre modeleve, pra modelet janë. Nuk kemi shansin e keq të gabojmë sepse janë pikat e referencës. E rëndësishme është që ky bashkëpunim të jetë i natyrshëm, të mos jetë i sforcuar. Të mos ndodhë që secili të gjuajë nga llogorja e vet. Përkundrazi unë shikoj që gjyqësori e ka domosdoshmëri të reformohet, ndërsa politika, e kam fjalën për Parlamentin e ka të nevojshme që të konsultohet. Vendim-marrjen askush nuk ia heq politikës, Parlamentit. Është një gjë që e ka tagër ekskluziv, por të konsultohesh, aq më shumë të konsultohesh me njerëzit që janë profesionistë, me njerëzit që janë pjesë e strukturave të drejtësisë kur bëhet ligji për drejtësinë, besoj që ky është një moment që nuk vlen të diskutohet” - deklaroi Topi. Sipas presidentit, është e domosdoshme që të ndryshojë imazhi i institucioneve të Shqipërisë dhe në këtë kuadër po ndryshon ligji, do të ristrukturohet drejtësia, do të vendosen në krye të këtyre institucioneve njerëz që konsiderohen me parametra të vlerësueshëm dhe unë besoj që jo vetëm drejtësia, por edhe institucione të tjera do të jenë pjesë e një klime, ku hap pas hapi do të vendoset shtetit i së drejtës. “Ndryshe nuk do të kemi shanse që të pranohemi në familjen evropiane, aty ku drejtësia sigurisht është mjaft e stabilizuar, ndonëse ka problemet e veta, që është e natyrshme për çdo vend’ - deklaroi Topi. I
pyetur, në lidhje me anëtarësimin në NATO, kreu i shtetit, duke iu referuar të gjitha kontakteve dhe informacioneve më të fundit tha se ishte mjaft optimist që së bashku me Maqedoninë e Kroacinë, Shqipëria do të marrë ftesën për t’u anëtarësuar në NATO.
KLD: Ligji i ri për gjyqësorin vendos standarde profesionale për rekrutimin e Gjyqtarëve/Këshilli i Lartë i Drejtësisë e konsideroi projektligjin mbi organizimin e pushtetit gjyqësor të shqyrtuar nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, si një betejë pjesërisht të fituar dhe përshëndet iniciativën e këtij Komisioni për të parashtruar përpara Kuvendit, përmirësime të cilat i shërbejnë ndjeshëm një sistemi gjyqësor të pavarur, të mbrojtur dhe profesional. Këshilli vlerëson parashikimin në këtë projektligj të dy burimeve të përfshirjes në gjykatat e rretheve gjyqësore të shtetasve, të cilët kanë kryer shkollën e Magjistraturës apo që kanë qenë më parë në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit. Ndryshe nga projekti i qeverisë një parashikim i tillë, nuk hermetizon sistemin gjyqësor dhe ka vënë standarde për përzgjedhjen e kandidatëve me përgatitje të lartë profesionale. KLD vlerëson gjithashtu qëndrimin e Komisionit ndaj pozicionit të kryetarëve të gjykatave, kriteret e përzgjedhjes për të cilët, procedura, koha e qëndrimit në detyrë dhe kompetencat, janë në përqasje me disa nga sugjerimet që janë paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në këtë drejtim, KLD, vë në dukje përcaktimin në këtë projektligj të mandatit katër vjeçar të ushtrimit të funksionit drejtues, i cili plotëson vakumin aktual ligjor dhe që është në koherencë me shqetësimin disa mujor të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe me vendimin e marrë në mbledhjen e fundit të tij. Në njoftimin e KLD-së thuhet gjithashtu se “është për t’u përshëndetur marrja në konsideratë e propozimeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi konceptin e karrierës gjyqësore”. “Komisioni parlamentar pranoi pjesërisht kërkesën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku me dy dispozita specifike parashikohet rritja e pagave të gjyqtarëve, e lidhur kjo me periudhën e shërbimit të tyre në detyrë. Ky parashikim ka marrë pjesërisht në konsideratë sugjerimet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka paraqitur në Komision”, thekson KLD. Sipas KLD-së, ndryshe nga projekti i prezantuar para Komisionit të Ligjeve nga ekzekutivi, emërimi i Kryetarëve të gjykatave nuk është iniciativë e Ministrit të Drejtësisë, por ekskluzivitet i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi bazën e një konkurrimi të ndershëm, transparent dhe profesional. Në mënyrë specifike, vlerësohet parashikimi i qartë dhe i kategorizuar i shkeljeve disiplinore, i cili duke parashikuar raste specifike të këtyre shkeljeve, eviton mundësinë e subjektivizmit në rast procedimi disiplinor, duke lehtësuar procesin e shqyrtimit të procedimeve disiplinore nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mbetet për t’u thënë se projektligji nuk ka zgjidhur dualitetin
mes dy inspektoriateve, atij pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, çështje që mbetet ende e hapur përpara ligjit, përfundon njoftimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.