E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR publikon raportin, kritika të forta KQZ-së dhe qeverisë

odihrMisioni vëzhgues i OSBE/ ODIHR ka publikuar raportin e ndërmjetshëm që mbulon periudhën nga 15 maji deri më 3 qershor.

Në fillim të raportit thuhet se këto zgjedhje shihen gjerësisht si një test i rëndësishëm në kuadër të aspiratave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në raport thuhet se parlamenti ka 140 anëtarë, që zgjidhen sipas një liste proporcionale.

Pasi KQZ nuk arriti të bënte ndarjen e mandateve, këtë gjë e bëri parlamenti, bazuar në statistikat e vjetra të popullsisë, thuhet në raport.

Në raport theksohet se tre partitë më të mëdha parlamentare janë gjobitur pasi nuk kanë plotësuar kuotat gjinore në listat e kandidatëve.

Një tjetër kritikë drejtohet ndaj Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, pasi thuhet se partitë vazhdojnë që të zëvendësojnë anëtarët e KZAZ-ve edhe pasi është plotësuar procesi i trajnimit, duke shtuar shqetësimet mbi paanshmërinë dhe efektivitetin e tyre.

Sa i përket Kolegjit zgjedhor, thuhet se deri më tani ka shqyrtuar 11 ankesa dhe në një rast ka marrë përsipër përgjegjësitë e KQZ-së duke vendosur vetë për numrin e ZAZ-ve.

Më pas vijojnë kritikat ndaj KQZ-së.

Aktualisht KQZ vepron vetëm me katër anëtarë, çka pengon aftësinë për të administruar zgjedhjet në përputhje me ligjin. Disa afate ligjore nuk janë përmbushur. KQZ mban seanca publike. Megjithatë, vendimmarrjes i mungon transparenca. Disa vendime të KQZ-së janë kritikuar pasi nuk kanë motivim ligjor, thuhet në raport.

Po ashtu citohet rasti kur PD rrëmbeu numrin 44 në listë, duke theksuar se veprimi i KQZ ishte i paligjshëm.

Në raport thuhet se janë 348 mijë votues që nuk kanë një adresë të saktë në listat e votuesve.

Fushata ka qenë përgjithësisht e qetë dhe paqësore, thuhet në raport.

Megjithatë misioni vëzhgues i ODIHR ka vëzhguar disa aktivitete zyrtare të qeverisë që përdoren për qëllime elektorale, thekson raporti.

Edhe pse ndalohet me ligj, spotet elektorale të financuara nga institucionet publike transmetohen në televizionet publike dhe private, thuhet në raport./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›