OKB: Lufta në Ukrainë po shkakton rritjen më të madhe të kostos së jetesës për një brez

Pushtimi rus i Ukrainës, në kombinim me kriza të tjera globale, ka çuar në rritjen më të madhe të kostos së jetesës për një brez, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB -së .
Sipas Antonio Guterres , bota po përballet me një “realitet të ri” tre muaj pas shpërthimit të luftës, i cili po përkeqëson ndikimin e krizave të tjera globale: ndryshimet klimatike, pandemia e COVID dhe pabarazia.
Rreth 1.6 miliardë njerëz në 94 vende janë të ekspozuar ndaj të paktën njërit prej dimensioneve të krizës, sipas buletinit të fundit nga Grupi i Kombeve të Bashkuara për Reagimin ndaj Krizave Globale mbi konfliktin në Ukrainë.
“Për njerëzit në mbarë botën, lufta, së bashku me krizat e tjera, kërcënon të shkaktojë një valë të paprecedentë urie, zhvendosjeje, kaosi social dhe ekonomik”, tha Guterres në një konferencë shtypi në Nju Jork.
Asnjë vend nuk do të mbetet i paprekur nga kriza e shkaktuar nga rritja e kostove të jetesës, tha ai. Popullatat në mbarë botën do të përballen me rrezikun e urisë , ndërsa kostot e energjisë po rriten, në një kohë kur të ardhurat për shumë punëtorë po zvogëlohen, vazhdoi ai.
Numri i njerëzve që përjetojnë pasiguri të rëndë ushqimore është dyfishuar në dy vitet e fundit, kujtoi ai.
“Kriza aktuale e sigurisë ushqimore është në rrezik real për t’u kthyer në një katastrofë globale në vitin 2023“, tha Guterres në një konferencë shtypi./ CNN.gr
/rtsh.al/