OKB: Palestinezët po vuajnë nga mungesa e ujit

Sulmet izraelite në qytetin qendror të Gazës, Deir al-Balah, kanë nxjerrë jashtë përdorimit shumicën e puseve të ujit duke rezultuar në një mungesë prej 85%.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRËA), bëhet e ditur se ushtria izraelite u kërkoi palestinezëve të evakuonin zonën në lindje të Deir al-Balah që më parë ishte përcaktuar si një “zonë humanitare” nga ushtria.
“Për shkak të operacioneve të vazhdueshme ushtarake në Deir al-Balah, vetëm 3 nga 18 puse uji atje janë ende duke funksionuar, duke rezultuar në një mungesë uji prej 85%. Jo vetëm që njerëzit në Gaza janë në frikë të vazhdueshme për jetën e tyre, por ata luftojnë për të përmbushur edhe nevojat e tyre më elementare”, tha UNRËA në një deklaratë për mediat.
Sipas autoriteteve palestineze, urdhrat e evakuimit kanë detyruar rreth 250 mijë civilë palestinezë të largohen nga lagjet e tyre në qytet dhe të nxjerrin jashtë funksionit 25 strehimore.
Të martën, zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara Stéphane Dujarric paralajmëroi për rreziqet që vijnë nga urdhrat e evakuimit të Izraelit për banorët dhe civilët e zhvendosur në Gaza.
Sipas të dhënave të OKB-së, 9 në çdo 10 njerëz që jetojnë në Gaza janë detyruar të largohen për shkak të sulmeve izraelite.
/rtsh.al/