E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB konfirmoi masakrën në Siri

Vëzhguesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me mision mbikëqyrjen e respektimit të armëpushimit mes forcave opozitare dhe atyre qeveritare në Siri, konfirmuan masakrën e ndodhur në qytetin e Hulas në provincën e Homsit, në veri-perëndim të Damaskut.

Vëzhguesit mbërritën në vendngjarje, pas denoncimit të aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe opozitës siriane për masakrën. Në Youtube qarkullon një video e cila tregon dhjetëra trupa të pajetë, mes të cilëve edhe fëmijë.

Misioni i OKB-së numëroi të paktën 90 të vrarë, të paktën 32 prej të cilëve fëmijë. “Vrasjet në Hula janë të pamëshirshme dhe nuk ka asgjë në botë që t’i justifikojë ato”, deklaroi kreu i misionit vëzhgues të OKB-së, Rober Mood.

Pas masakrës ka mbërritur reagimi i parë nga Perëndimi. Sekretari i Jashtëm Britanik, Ëilliam Hague deklaroi për BBC se do të kërkojë një reagim të fortë nga komuniteti ndërkombëtar, por pa përcaktuar nëse si alternativë ishte edhe mundësia e ndërhyrjes ushtarake.

Ashpër reaguan edhe Parisi dhe Liga Arabe. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius dënoi ashpër sulmin dhe tha se do të kërkonte një mbledhje urgjente në Paris të grupit “Miqtë e Sirisë”.

Në New York, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon dhe i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, kanë thënë se Qeveria siriane ka shkelur në mënyrë brutale ligjin ndërkombëtar.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, vrasjet paraqesin sulme të ndyra të një regjimi të paligjshëm.

Në anën tjetër, Damasku zyrtar ka mohuar se është përgjegjës për këtë masakër.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›