E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB përgatitet për dërgim eventual të paqeruajtësve në Siri

Kombet e Bashkuara thonë se i kanë filluar përgatitjet për dërgimin e mundshëm të paqeruajtësve në Siri, si pjesë e marrëveshjes potenciale për armëpushim.

Kjo deklaratë e shefit të operacioneve paqeruajtëse të OKB-së, Herve Ladsous, u bë në kohën e përpjekjeve nga i dërguari ndërkombëtar, Lakhdar Brahimi, për ta bindur qeverinë e Sirisë dhe kryengritësit, për implementimin e armëpushimit gjatë festës myslimane të Bajramit, që fillon të premten.

Ladsous ka thënë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të duhet ta miratoj ndonjë vendosje eventuale të paqeruajtësve.

Ai theksoi se në Siri çdo ditë po vriten nga 150 e deri në 200 civilë.

Në anën tjetër, ambasadori i Turqisë në BE sqaroi se s'do të ketë aksione të njëanshme në Siri, por tha se është i zhgënjyer me qëndrimin e fuqive botërore dhe dëshiron të shohë më shumë përpjekje të bashkërenduara për të ndihmuar refugjatët.

"Vijat tona të kuqe në Siri janë kapërcyer tashmë. Por duart tona janë të lidhura," u tha diplomatëve, politikanëve dhe ekspertëve ambasadori turk në BE, Selim Yenel.

"Për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit të OKB-së është i bllokuar prej vetos së Rusisë dhe Kinës, ne s´mund të bëjmë asgjë. Ky është problemi," theksoi ambasadori Yenel.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›