E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botohen njëmijë dokumente të Pavarësisë

Në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë ka nisur botimin e koleksionit të plotë, prej afro njëmijë dokumentesh, të qeverisë së Ismail Qemalit. Megjithatë, edhe këtu mungon akti origjinal i shpalljes së Pavarësisë.

Arkivi do të botojë në një libër të rrallë, me të gjitha dokumentet e ruajtura dhe të shqipëruara me kujdes nga njohësit më të mirë shqiptarë të turqishtes së vjetër.

"Shumica e këtyre dokumenteve janë në gjuhën osmanishte, dhe vetëm një pjesë e vogël janë në gjuhën shqipe. Botimi i arkivit të shtetit do t'i sjellë ato të gjitha në gjuhën shqipe, të shoqëruara me faksimile të origjinaleve, në të cilat bie në sy nënshkrimi i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të pavarur", ka thënë për Zërin e Amerikës, drejtoresha e Arkivit të Shqipërisë, Nevila Nika.

Si pasojë e trazirave të shumta politike dhe ushtarake, mendohet se janë zhdukur një pjesë e madhe e dokumenteve të Qeverisë së parë të Shqipërisë. Një pjesë e madhe e dokumenteve të shpëtuara të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës janë mbledhur para Luftës së Dytë Botërore nga Instituti Shqiptar i Kulturës, e pjesa tjetër janë dorëzuar në Arkiv pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas drejtoreshës së Arkivit, problem ende mbetet mosgjetja e aktit origjinal të pavarësisë, megjithëse edhe ai do të përfshihet në këtë botim, falë një fotografie të origjinalit, të gjetur në fototekën Marubi.

Botimi i dokumenteve të Qeverisë së Përkohshme bazohet në punën profesionale të arkivistëve të hershëm, të cilët ishin edhe bashkëkohës të Ismail Qemalit, si: Jonuz Tafilaj, Haki Sharofi, Nezir Leskoviku e Andrea Sahatçi, të cilët i kanë përkthyer dokumentet në shqip, bashkë me shpjegime të detajuara për to.

Ndryshe, të frymëzuar nga 100-vjetori i Pavarësisë së shtetit shqiptar, mijëra qytetarë nga të gjitha trevat e Ballkanit dhe botës po kërkojnë nga Arkiv kopje të dokumenteve të ndryshme, gj që tani po mundësohen lehtë përmes shtypjes dhe metodave digjitale.

Botimi i koleksionit të plotë të dokumenteve të Qeverisë së Ismail Qemalit shihet si një detyrim, për të kënaqur kërkesat e publikut, por edhe për të plotësuar bibliotekat e cilitdo qytetar të interesuar për historinë e Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›