E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Korrupsioni dhe pandërshkueshmëria, problem

Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria sidomos në radhët e zyrtarëve të lartë vijonë të mbetet ende një problem i madh për Shqipërinë. Në raportin vjetor që mban firmën e ambasadorit të OSBE-së Eugen Wollfarth, theksohet se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e besimit te sistemi i drejtësisë, pandëshkueshmëria, sidomos ndaj zyrtarëve të lartë që sipas raportit vjetor të OSBE-së vishen me imunitet thuajse të plotë duke krijuar një kulturë që shoqërohet me mungesë të theksuar besimi. Dhe si për ta ilustruar këtë me shembuj raporti i OSBE ka marrë gjyqin e Gërdecit. Raporti thekson rëndësinë e heqjes së imunitetit tashmë një çështje e tejkaluar.
 

“Gjyqi i Gërdecit nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008 nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave” thekson Wollfarth në raportin e tij.
 

Raporti vjetor i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vëren me shqetësim se për zgjedhjet e ardhshme pritet një garë mjaft e egër e cila pothaujse ka nisur edhe pse klima politike gjatë 12 muajve të fundit cilësohet si e qetësuar me rikthimin e opozitës në parlament.

“Nisur nga kjo përvojë, në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Verejmë se klima politike u përmirësua gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit dhe institucionet kushtetuese bënë progres në rrugën për të rifituar funksionimin e tyre të plotë. Pas vitesh amullie dhe bojkoti politik, si dhe pas demarshesh të përsëritura në lidhje me procesin politik nga Prezenca e OSBE-së dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, progresi në rrugën e reformave filloi me kthimin e plotë të Partisë Socialiste në Kuvend, në vjeshtën e vitit 2011 dhe me marrëveshjen pasuese, në muajin nëntor” shton ambasadori.

Vëmendje raporti i ka kushtuar edhe zgjedhjes së presidentit të ri duke e cilësuar zgjedhjen kushtetuese por duke paralajmëruar që kreu i shtetit do të vihen në qendër të debateve të tensionuara kur të zgjedhë prokurorin e ri të përgjithshëm.
 

“Ndërkohë që ishte në përputhje me Kushtetutën, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili zgjati një muaj, nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik. Ka gjasa që presidenti të vihet në qendër të disa debateve të tensionuara publike, që nga kjo vjeshtë, në lidhje me disa emërime të mundshme nga ana e tij të Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët emërohen me marrjen e pëlqimit të qartë të Kuvendit” theksohet më tej në raport.
 

Raporti edhe pse nuk e thotë hapur, kritikon zëvendësimin e ministrit të jashtëm Edmond Haxhinasto duke e quajtur atë mjaft të papritur në kohën kur Shqipëria kryesonte një organizatë ndërkombëatre siç është Këshilli i Europës.  Edhe pse vlerëson me nota pozitive miratimin me konsensus të reformës zgjedhore, OSBE nxit zbatimin e plotë dhe me përpikëri të tij në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.
 

Raporti thekson se ajo që pritet tashmë është realizimi i reformës parlamentare ndërsa veren me shqetësim se shumica parlamentare ka tejkaluar kompetencat që i jep kushtetuta me ngritjen e dy komisioneve hetimore pa lënë jashtë kritikave edhe Gjykatën Kushtetuese.

“Përdorimi nga ana e koalicionit qeverisës të komisioneve hetimore të Kuvendit, njëri prej të cilëve u ngrit në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit 2011, i cili u konsiderua nga opozita dhe nga disa ekspertë si një shpërdorim i rëndë i procesit të komisioneve hetimore dhe tjetri lidhur me veprimtaritë e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishte shqetësues. Që të dyja këto komisione duket të jenë ngritur me rezultate të paracaktuara, duke i tejkaluar kështu kompetencat që u jep Kushtetua, e cila lejon vetëm shqyrtimin e një çështjeje specifike dhe jo zëvendësimin e punës së gjyqësorit” thuhet më tej në raport.
 

Raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vëren se dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës. Për sa i përket reformës së pronës, OSBE vëren se ajo është zhvilluar në mënyrë të copëzuar, të pjesshme dhe se procesi i legalizimit të ndërtimeve është, më së shumti, joefektiv dhe i damkosur nga perceptimi publik si i korruptuar. Raporti ka vlerësimi pozitive për policinë e shtetit në luftën kundër krimit dhe kultivimin e trafikimin e lëndëve narkotike.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›