OSBE-ODIHR-KiE: Zgjedhjet ishin konkurruese dhe aktive, por klima zgjedhore u njollos
Vëzhguesit ODIHR, kritika për numërimin e ngadaltë, për punën e KQZ-së dhe për presionet e qeverisë në këtë fushatë zgjedhore
Misioni i vëzhguesve të ODIHR doli me një deklaratë të përbashkët në lidhje me zgjedhjet. Ashtu siç ishte paralajmëruar, deklarata është hartuar jo vetëm nga ODIHR, por edhe nga grupi vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.
Këto zgjedhje cilësohen si aktive dhe konkurruese, por thuhet se klima zgjedhore u njollos, ndërkohë që kjo kërcënoi administrimin zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Republikën e Shqipërisë ishin konkurruese me pjesëmarrje aktive të qytetarëve gjatë gjithë fushatës dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore.
Megjithatë, atmosfera e mosbesimit midis dy forcave të mëdha politike njollosi klimën zgjedhore dhe kërcënoi administrimin e të gjithë procesit zgjedhor. Votimi vijoi mirë, megjithë parregullsitë procedurale, por numërimi u vonua në shumë zona.
Mospërputhjet e hershme e të përsëritura dhe mosbesimi reciprok i vazhdueshëm ndërmjet partive politike kryesore cenoi punën e administrimit të zgjedhjeve dhe kërcënoi ecurinë e qetë të zgjedhjeve.
Pasi partitë opozitare bojkotuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pas shkarkimit të debatueshëm të njërit prej anëtarëve, KQZ-ja e zhvilloi pjesën e mbetur të punës së saj
pa kuorumin e nevojshëm për të miratuar vendime kyçe. Përshtypja se KQZ-ja veproi në mënyrë politike u përforcua vendimi i saj për të rikompozuar komisionet zgjedhore të niveleve më të ulëta, thuhet në raportin e vëzhguesve.
Përveç KQZ-së, kritika ka pasur për parlamentin në lidhje me ndarjen e mandateve, por edhe në lidhje me presionet e qeverisë në këmbim të votës.
Në mungesë të vendimit të KQZ-së për ndarjen e mandateve në katër zonat zgjedhore, vendimi i mëpasshëm i parlamentit për këtë çështje ishte në kundërshtim me parimin e procesit të rregullt ligjor dhe barazinë e votës. Gjykata Kushtetuese e refuzoi juridiksionin për një ankesë që kundërshtonte vendimin e parlamentit, thuhet në raport.
Rastet e zbehjes së vazhdueshme të kufijve midis institucioneve shtetërore dhe interesave partiake, bien në kundërshtim me pikën 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990 dhe
pikën I.2.3 të Kodit të Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias. Pretendimet për blerje votash dhe presioni mbi punonjësit të sektorit publik, ku përfshihen rastet e pjesëmarrjes së detyruar në tubime dhe shkarkim nga puna, janë vlerësuar nga MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it si të besueshme, kanë ndikuar negativisht në klimën para-zgjedhore. Rregullore për financimin e fushatës nuk ofruan transparencë të mjaftueshme gjatë periudhës së fushatës, vijon raporti.
Sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet, sërish rezervohen kritika për punën e KQZ-së.
Përgatitjet teknike për zgjedhjet ishin të përshtatshme, pavarësisht disa mangësive të konstatuara, veçanërisht në mosrespektimin e një sërë afatesh ligjore. Pati organizim të vonuar të mbledhjeve dhe një paraqitje e paplotë e vendimeve të KQZ-së në faqen e internetit të KQZ-së, në kundërshtim me ligjin.
Megjithatë, partitë dhe media u informuan dhe morën pjesë në mbledhjet e KQZ-së, që ishin të hapura për publikun dhe transmetoheshin në internet (online). KQZ-ja ishte plotësisht
bashkëpunuese me vëzhguesit ndërkombëtarë.
Përgjithësisht, ekzistonte besimi në cilësinë e listave të zgjedhësve, por edhe disa shqetësime të shprehura kryesisht nga partitë më të vogla politike. Numri i zgjedhësve pa një adresë të plotë u reduktua me rreth 35 përqind përpara këtyre zgjedhjeve, që përmirësoi me tej saktësinë. Listat e zgjedhësve u vunë në dispozicion për rishikim dhe zgjedhësit mund të verifikonin dhe korrigjonin të dhënat e tyre. Rreth 139 kryetarë bashkie u gjobitën për shkak të mosrespektimit të plotë të
detyrimit të tyre ligjor për të informuar KQZ-në për numrin e zgjedhësve dhe vendndodhjet e qendrave të votimit.
Kodi Zgjedhor i dha KQZ-së detyrën të testonte dy sisteme të reja teknologjike për zgjedhjet: numërimin elektronik dhe verifikimin elektronik të zgjedhësit. Megjithatë, KQZ-ja shkeli një sërë afatesh ligjore dhe nuk miratoi rregulloret e nevojshme, duke bërë kështu të pamundur implementimin e tyre të suksesshëm. KQZ-ja anuloi zyrtarisht të dy sistemet pilote në javën përpara ditës së zgjedhjeve.
Sa i përket mbulimit mediatik të fushatës, në raport thuhet: Klima mediatike ishte pluraliste gjatë gjithë fushatës dhe ofroi larmishmëri në përmbajtje, gjë që i mundësoi zgjedhësit të bëjnë një zgjedhje të ndërgjegjësuar. Megjithatë, pavarësia editoriale, u cenua nga ndikimi politik. Transmetuesi televiziv publik u ofroi partive më të mëdha mbulim mediatik të barabartë, por ishte më pozitiv në qasje kundrejt partisë në pushtet. Media e monitoruar nga MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it nuk e përmbushi detyrimin ligjor për ti siguruar partive më të vogla sasinë e specifikuar të mbulimit informativ. Krijimi i vonuar i Bordit të Monitorimit të Medias dhe mungesa e kolegjialitetit e reduktoi efektivitetin e tij. KQZ-ja miratoi një vendim të debatueshëm që nënkuptoi një kërkesë për transmetuesit për të transmetuar materialin e fushatës të përgatitur nga subjektet zgjedhore në edicionet e tyre informative gjë që shkeli lirinë editoriale./ep