TemA TV/ Xhafaj: PD po tenton të manipulojë procesin në KZAZ 33 në Tiranë (VIDEO)
(E PERDITESUAR)- Humbja e thellë që po merr PD, ka sjellë edhe tentativat e para për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve.
Disa punonjës të CEZ kanë hyrë fshehurazi tek KZAZ 33, te shkolla Bajram Curri në Tiranë dhe janë përpjekur që të ndryshojnë kutitë e votimit.
Ata janë identifikuar menjëherë nga ana e përfaqësuesve të PS-së, të cilët kanë njoftuar policinë.
Fatmir Xhafaj, përfaqësues i Partisë Socialiste denoncoi se në KZAZ-në 33 në shkollën “Bajram Curri” në Tiranë persona të paautorizuar tentuan të futen në ambiente të brendshme të numërimit të votave, ndërsa numëruesit kanë qenë në kohë pushimi.
Në mënyrë të papritur pati shkëputje të energjisë elektrike dhe një ekip i paautorizuar i CEZ-it ka hyrë në ambientet e shkollës nën pretekstin për të rregulluar dritat, duke i dhënë mundësi kështu hyrjes së elementëve të dyshimtë. Mbështetës të Partisë Socialiste kanë reaguar ndaj këtyre elementëve, ndërsa policia ka lënë hapësirat e saj, tha Xhafaj.
Sipas pretendimeve, këta elementë kanë pasur kuti me fleta votimi me qëllim futjen e tyre në qendër, por kjo është diçka ende jo e konfirmuar.
Po ashtu përfaqësuesi i PS-së denoncoi se drejtues të Policisë së Burgjeve po numërojnë votat dhe kjo është në kundërshtim me rregullat.
Sipas Xhafajt ky është një prej incidenteve të radhës në përpjekje për të manipuluar rezultatin zgjedhor, duke akuzuar se segmente të policisë po ndërhyjnë në këtë proces.
Policia, dy personat u prezantuan si punonjës të KQZ-së
Policia e Tiranës ka përgënjeshtruar lajmin e shpalljes në kërkim të punonjësit të CEZ-it, që tentoi të dhunonte KZAZ-në nr.33. Policia e Tiranës, në versionin e saj zyrtar, thotë se personat janë prezantuar si punonjës të KQZ-së dhe se policia nuk ka lejuar që ata të futeshin në ambientet e brendshme të qendrës së numërimit të votave.
Në KZAZ nr.33, e ndodhur në shkollën Bajram Curri në Tiranë, përgjatë momenteve të ndërprerjes së numërimit rreth orës 14.00, tek punonjësit e policisë të planizuar me shërbim në këtë KZAZ, janë afruar dy shtetas me pretendimin se janë përfaqësues së Komisionit Qendror Zgjedhor dhe ndodhen aty për inspektim. Nga punonjësit e policisë në asnjë moment nuk është lejuar hyrja e këtyre personave brenda në ambientet e KZAZ 33, por nga punonjësit e policisë u është kërkuar largimi i tyre, pasi KZAZ është në orarin e pushimit dhe është ndërprerë për disa orë numërimi, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së Tiranës.