E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE-ODIHR nis misionin: 26 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër për të monitoruar procesin zgjedhor të 11 majit

Ambasadori dhe kreu i vëzhguesve të OSBE-së për zgjedhjet e 11 majit Lamberto Zannier ka bërë të ditur sot nisjen e misionit për monitorimin e procesit zgjedhor.

Zannier theksoi se do të jenë 26 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër para ditës së zgjedhjeve.

Gjatë një konference për media, Zannier tha se grupi i ekspertëve dhe vëzhguesve do të jetë i vendosur në Tiranë dhe të shpërndarë në Shqipëri.

“Sot hapim zyrtarisht misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri. Misioni vjen pas ftesës ë autoriteteve vendase dhe do të përbehet nga një ekip bërthamë ekspertësh prej 12 vetash të vendosur në Tiranë. Do të jetë 26 vëzhgues afatgjatë të vendosur në Tiranë dhe të shpërndarë në Shqipëri dhe do kërkohet 300 vëzhgues afatshkurtër para ditës së zgjedhjeve”, u shpreh Zannier.

Ambasadori Zannier tha se misioni i OSBE-së ashtu siç ka qenë ndër vite është që të vlerësojë mënyrën se si do të kryhen zgjedhjet e 11 majit dhe angazhimet që ka marrë Shqipëria në raport me standardet ndërkombëtare.

“Ashtu sikurse ka qenë misioni i OSBE edhe ndër vite, edhe kësaj radhe objektivi i misionit të vëzhgimet të zgjedhjeve është të vlerësojë mënyrën sesi do kryen këto zgjedhje, nëse ato do të jenë në përputhje me angazhimet që ka marrë Shqipëria lidhur me OSBE si dhe me detyrimet dhe standarde të tjera ndërkombëtare që rregullojnë zgjedhje demokratike. Sigurisht edhe nëse janë në përputhje me legjislacionin vendas.

Për arritjen e këtij objektivi, do të përfshihen zhvillime para dhe pas zgjedhjeve. Disa fusha me interes për misionin përfshijnë; zbatimin e kuadrit ligjor; zhvillimi i fushatës; përfshirë atë në rrjete sociale; Puna e administratës zgjedhore në të gjitha zgjedhjet; zgjidhja e mosmarrëveshjeve lidhur me zgjedhjet, dhe mbulimi mediatik. Vëzhguesit do të vlerësojnë gjithashtu rekomandimet e mëparshme”, tha Zannier.

Ai shtoi se sa i përket gjetjeve “ne do t’i qëndrojmë mënyrës se si ne operojmë gjithmonë. Pra të gjitha gjetjet tona do të përfshihen në raportet tona. Do të bashkëpunojmë me autoritetet në vend, do të bashkëpunojmë në mënyrë konsistente me ta, por gjetjet tona për parregullsi do të përfshihen në raportet tona”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›