OSBE-ODIHR vlerëson pjesëmarrjen, apel për njohjen e rezultatit
Raporti: Procesi zgjedhor u njollos, por edhe numërimi po ecën tepër ngadalë. Kritika edhe KQZ-së për shkeljen e afateve zgjedhore dhe dështimin elektronik
Misioni i OSBE-ODIHR-it në një raport të publikuar ditën e djeshme iu bën apel partive politike për njohjen dhe pranimin e rezultatit zgjedhor cilido qoftë ai. Duke marrë shkas nga zgjedhjet e kaluara ku rezultati i dalë pas përfundimit të numërimit është kontestuar me bujë të madhe nga të dyja partitë që nuk pranonin humbjen apo fitoren e njërës palë, OSBE-ODIHR nuk dëshiron që një situatë e tillë të përsëritet edhe në këto zgjedhje dhe rezultati të përfundojë në kolegjin zgjedhor. Lidhur me procesin zgjedhor raporti vlerëson pjesëmarrjen e lartë të shqiptarëve në votime (53.75 % sipas KQZ-së), ndërkohë që bën kritika për ritmin e ngadaltë të numërimit të votave.
Apeli
Misioni i OSBE-ODIHR i bën thirrje politikës të pranojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare. Në publikimin e raportit paraprak për zgjedhjet Koni Mekormak tha se politika ka ndërhyrë dhe ka përshkruar të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor. “Ndonëse dita e zgjedhjeve është vlerësuar pozitivisht, procesi i numërimit është i ngadaltë dhe po vazhdon”, tha Mekormak, ndërkohë që raporti final për gjithë procesin e zgjedhjeve të 23 qershorit do të publikohet pas dy muaj në Vjenë.
Vëzhguesit
Ndërkohë në fokus të raportit kanë qenë vërejtjet për procesin e numërimit. Duke qenë se vëzhguesit e ODIHR kanë qenë vetë në terren dhe në KZAZ të ndryshme, kanë bërë edhe mjaft kritika për numërimin e ngadaltë, për punën e KQZ-së dhe për presionet e qeverisë në këtë fushatë zgjedhore. Nisur nga kjo situatë e dy ditëve të para të procesit zgjedhor, misioni i vëzhguesve të ODIHR doli me një deklaratë të përbashkët, ku ashtu siç ishte paralajmëruar, deklarata është hartuar jo vetëm nga ODIHR, por edhe nga grupi vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.
Pjesëmarrje e aktive
Megjithatë në raport thuhet se klima zgjedhore u njollos, përtej kritikave këto zgjedhje cilësohen si aktive dhe konkurruese. Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Republikën e Shqipërisë ishin konkurruese me pjesëmarrje aktive të qytetarëve gjatë gjithë fushatës dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore. Megjithatë, atmosfera e mosbesimit midis dy forcave të mëdha politike njollosi klimën zgjedhore dhe kërcënoi administrimin e të gjithë procesit zgjedhor. Votimi vijoi mirë, me gjithë parregullsitë procedurale, por numërimi u vonua në shumë zona. Mospërputhjet e hershme e të përsëritura dhe mosbesimi reciprok i vazhdueshëm ndërmjet partive politike kryesore cenoi punën e administrimit të zgjedhjeve dhe kërcënoi ecurinë e qetë të zgjedhjeve, thuhet më tej në raport.
Kritikat për mandatet
Duke i bërë një rezyme situatës së pak muajve më parë raporti kujton se pasi partitë opozitare bojkotuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pas shkarkimit të debatueshëm të njërit prej anëtarëve, KQZ-ja e zhvilloi pjesën e mbetur të punës së saj pa kuorumin e nevojshëm për të miratuar vendime kyçe. Përveç KQZ-së, kritika ka pasur për parlamentin në lidhje me ndarjen e mandateve, por edhe në lidhje me presionet e qeverisë në këmbim të votës. Në mungesë të vendimit të KQZ-së për ndarjen e mandateve në katër zonat zgjedhore, vendimi i mëpasshëm i parlamentit për këtë çështje ishte në kundërshtim me parimin e procesit të rregullt ligjor dhe barazinë e votës. Gjykata Kushtetuese e refuzoi juridiksionin për një ankesë që kundërshtonte vendimin e parlamentit, thuhet në raport.
Vlerësohen mediat
Sa i përket mbulimit mediatik të fushatës, në raport thuhet: Klima mediatike ishte pluraliste gjatë gjithë fushatës dhe ofroi larmishmëri në përmbajtje, gjë që i mundësoi zgjedhësit të bëjnë një zgjedhje të ndërgjegjësuar. Megjithatë, pavarësia editoriale, u cenua nga ndikimi politik. Transmetuesi televiziv publik u ofroi partive më të mëdha mbulim mediatik të barabartë, por ishte më pozitiv në qasje kundrejt partisë në pushtet. Media e monitoruar nga MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it nuk e përmbushi detyrimin ligjor për ti siguruar partive më të vogla sasinë e specifikuar të mbulimit informativ. Krijimi i vonuar i Bordit të Monitorimit të Medias dhe mungesa e kolegjialitetit e reduktoi efektivitetin e tij. KQZ-ja miratoi një vendim të debatueshëm që nënkuptoi një kërkesë për transmetuesit për të transmetuar materialin e fushatës të përgatitur nga subjektet zgjedhore në edicionet e tyre informative gjë që shkeli lirinë editoriale.
Klima parazgjedhore, pati
presione për blerje votash
Raporti citon edhe pjesë nga dokumentet ligjore të cilat janë thyer dhe nuk janë respektuar në raste të caktuara nga partitë politike. Sipas OSBE-ODIHR-it, rastet e zbehjes së vazhdueshme të kufijve midis institucioneve shtetërore dhe interesave partiake, bien në kundërshtim me pikën 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990 dhe pikën I.2.3 të Kodit të Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias. Pretendimet për blerje votash dhe presioni mbi punonjësit të sektorit publik, ku përfshihen rastet e pjesëmarrjes së detyruar në tubime dhe shkarkim nga puna, janë vlerësuar nga MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it si të besueshme, kanë ndikuar negativisht në klimën para-zgjedhore. Rregullore për financimin e fushatës nuk ofruan transparencë të mjaftueshme gjatë periudhës së fushatës, vijon raporti.
KQZ dështoi me sistemet elektronike
Sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet, sërish rezervohen kritika për punën e KQZ-së. Përgatitjet teknike për zgjedhjet ishin të përshtatshme, pavarësisht disa mangësive të konstatuara, veçanërisht në mosrespektimin e një sërë afatesh ligjore. Pati organizim të vonuar të mbledhjeve dhe një paraqitje e paplotë e vendimeve të KQZ-së në faqen e internetit të KQZ-së, në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, partitë dhe media u informuan dhe morën pjesë në mbledhjet e KQZ-së, që ishin të hapura për publikun dhe transmetoheshin në internet (online). KQZ-ja ishte plotësisht bashkëpunuese me vëzhguesit ndërkombëtarë. Përgjithësisht, ekzistonte besimi në cilësinë e listave të zgjedhësve, por edhe disa shqetësime të shprehura kryesisht nga partitë më të vogla politike. Numri i zgjedhësve pa një adresë të plotë u reduktua me rreth 35 për qind përpara këtyre zgjedhjeve, që përmirësoi me tej saktësinë. Listat e zgjedhësve u vunë në dispozicion për rishikim dhe zgjedhësit mund të verifikonin dhe korrigjonin të dhënat e tyre, thuhet më tej në raport, ndërsa shtohet se rreth 139 kryetarë bashkie u gjobitën për shkak të mosrespektimit të plotë të detyrimit të tyre ligjor për të informuar KQZ-në për numrin e zgjedhësve dhe vendndodhjet e qendrave të votimit. Raporti kritikon hapur KQZ-në edhe për dështimin me implementimin e sistemeve elektronike të votimit dhe numërimit të votave. Kodi Zgjedhor i dha KQZ-së detyrën të testonte dy sisteme të reja teknologjike për zgjedhjet: numërimin elektronik dhe verifikimin elektronik të zgjedhësit. Megjithatë, KQZ-ja shkeli një sërë afatesh ligjore dhe nuk miratoi rregulloret e nevojshme, duke bërë kështu të pamundur implementimin e tyre të suksesshëm. KQZ-ja anuloi zyrtarisht të dy sistemet pilote në javën përpara ditës së zgjedhjeve.