Shqipëria e mesme dhe Labëria i japin Ramës 3 mandate më shumë se 2009-ta
Korça, Elbasani dhe Vlora kanë vulosur dukshëm fitoren e së majtës në këto zgjedhje. Edhe pse ditën e djeshme nuk u mbyll zyrtarisht procesi i numërimit të votave, e majta pretendon jo vetëm fitoren në këto 3 qarqe, por 2 deri në 3 mandate më tepër (për secilin qark) se sa në zgjedhjet e 2009-ës.
Rezultati paraprak
Diferenca e madhe e votave mes Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim në këto tre qarqe kaloi parashikueshmërinë parazgjedhore. Madje krahasuar edhe me 2009-ën e majta ka rrëmbyer edhe më shumë mandate në këto tre qarqe. Referuar rezultateve të orëve të vona të ditës së djeshme, në Korçë e majta ka marrë 7 mandate nga 6 që kishte më 2009-ën, në Elbasan e majta ka marrë 8 mandate nga 7 që kishte më 2009-ën, dhe në Vlorë flitet për mbi 8 mandate nga 7 që kishte më parë. Ndërsa koalicioni i djathtë ka marrë në Korçë 5 mandate nga 6 që kishte më 2009; në Elbasan ka marrë 6 mandate nga 7 që kishte më parë, si dhe në Vlorë e djathta ka rënë në 4 mandate nga 5 që kishte marrë më 2009-ën.
Procesi i numërimit
Megjithëse numërimi po ecën me ritme të ngadalta dhe ditën e djeshme u arrit të numëroheshin rreth gjysma e kutive të votimit, sërish me përfundimin e çdo kutie e majta ka vijuar të kryesojë. Numërimi i ngadaltë i votave duket se është një proces që po dëmton imazhin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit ( i kritikuar dje edhe nga ndërkombëtarët), pa harruar këtu edhe ngjarjen e rëndë të Laçit, ditën e votimit. Pavarësisht këtyre problemeve ndërkombëtarët kanë vlerësuar pjesën tjetër të procesit duke bërë apel për ritme më të shpejta të numërimit të votave, dhe nxjerrjes së rezultatit që sipas tyre nuk duhet të kontestohet. Pavarësisht diferencës së thellë mes dy kampeve, edhe pse ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit, demokratët duket se i kanë humbur këto zgjedhje, duke shënuar një rrotacion të pushtetit në Shqipëri.
Malaj larg mandatit
Arben Malaj në Vlorë duket larg mandatit që kërkon si deputet i pavarur. Referuar ecurisë së procesit të numërimit të votave ditën e djeshme, Malaj ka grumbulluar rreth 1500 vota, por duke marrë parasysh që janë mbyllur rreth gjysma e kutive, fitorja e tij duket gati e pamundur, megjithëse verdikti final ende nuk është dhënë. Ndërkohë me ecurinë e djeshme të numërimeve në Korçë e majta kërkon mandatin e tetë.