OSBE: Opozita, de facto po dëmton procesin drejt një sistemi demokratik modern Ambasadori i OSBE, Robert Bosh

Ambasadori i OSBE në vendin tonë, Robert Bosh, u shpreh sot se mungesa e opozitës do të thotë gjithashtu që shumica e ligjeve po miratohen pa pasur nivelin e pritshëm të diskutimeve. Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të Konsorciumit Ndërkombëtar, ai i kërkoi Qeverisë të bëjë përpjekje të mëtejshme për të siguruar që të gjitha ligjet të diskutohen nga të gjithë grupet e interesit para se të miratohen në parlament. “Po shfrytëzoj rastin për t’i kërkuar opozitës që të reflektojë gjatë dhe thellë për veprimet e veta, të cilat tashmë de facto po dëmtojnë procesin drejt një sistemi demokratik modern. Duhet bërë e mundur që ata të ndjejnë se pjesëmarrja e tyre aktive dhe e vazhdueshme në Kuvendin e Shqipërisë është e mirëpritur si me fjalë ashtu dhe vepra”, deklaroi Bosh. Megjithatë, sipas tij, është parë progres në lidhje me disa nga politikat. Ai tha se duhet të pranojmë dhe përgëzojmë faktin që Shqipëria ka miratuar tashmë ligjin historik dhe domethënës kundër-diskriminimit.