Rama shkon në Durrës për 20 vetë
Partia Socialiste po i quan protestat e saj si protesta spontane të banorëve, ndërkohë që të gjithë deputetët dhe degët e partisë janë vënë në lëvizje për të organizuar tubime në çdo rreth. Zhgënjyese për PS-në ishte një protestë e djeshme në një lagje të Durrësit, ku ka qenë i pranishëm kryetari i partisë, Edi Rama, por atë e kanë pritur jo më shumë se 20-30 vetë. Për të mbuluar dështimin e kësaj proteste, PS e ka quajtur atë një takim të rastësishëm të Ramës me banorët e një lagjeje. PS njoftoi dje se Rama ka qenë në lagjen numër 16 të qytetit të Durrësit. Në takimin e rastësishëm me Edi Ramën, qytetarët ankohen për pamundësinë e përballimit të jetesës për shkak të çmimeve të rritura, për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe shumë faktorëve të tjerë, të cilët ata i japin në dëshmitë e tyre, - thuhet në këtë njoftim. Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me banorët u shpreh: Në këtë situatë që jeni ju, janë qindra mijëra njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, nuk kanë mundësi të shtyjnë muajin. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, në protesta bashkë me ne për ti dhënë fund kësaj historie korrupsioni, kësaj historie vjedhjeje, kësaj historie abuzimi, që i ka rrënjët aty tek ato kutitë e votimit. Ju keni votuar për ndryshimin, pushteti e ka kthyer votën tuaj në një votë për vetveten. I vetmi që mund ta rikthejë në vend këtë punë, është populli. Nuk do të vazhdojmë kështu, do të protestojmë, do të protestojmë, do të protestojmë të gjithë bashkë. Ti japim fund kësaj historie. Kjo histori me rrena dhe me vjedhje duhet të mbarojë.