OSBE, shuplaka e parë për kodin Etik të Ramës, nuk siguron aksesin në informacion
Përfaqësuesja e OSBE-së nxit qeverinë e re për progres në reformën e medias
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, ka deklaruar se është e nevojshme për ta dekriminalizuar plotësisht shpifjen në Shqipëri. Gjatë një vizite zyrtare dyditore, po ashtu, ajo e nxiti qeverinë e re të vijojë reformimin e transmetuesit publik, të sigurojë aksesin në informacion dhe të bëjë përpara në dixhitalizimin e medias elektronike. “Transmetuesi publik RTSH duhet të reformohet plotësisht që t’u ofrojë qytetarëve lajme dhe informacione të balancuara, si dhe t’i edukojë e t’i zbavitë,” theksoi Mijatović, pas takimit me kryeministrin Edi Rama. Kjo deklaratë vjen në momentin që qeveria zbardhi përmbajtjen e Kodit të Eritik, ku përcaktohet se, “Ministrat mund të prononcohen apo mbajne fjalime apo deklarata per shtyp pasi te kene marre pëlqimin e Zyrës së Komunikimit (Endri Fugës, censor zyrtar i Edi Ramës) , pranë Këshillit të Ministrave dhe të bëjë kujdes që deklaratat e tij të përputhen me programin dhe qëndrimet politike të qeverisë”. Ndër çështje të tjera që u diskutuan ishin edhe dekriminalizimi i shpifjes dhe masat për të siguruar aksesin e publikut në informacionet zyrtare. “Vjet, Shqipëria bëri një hap të rëndësishëm me heqjen e dënimit me burgim për shpifjen nga Kodi Penal. Unë ju nxis të bëni edhe hapin tjetër dhe ta dekriminalizoni plotësisht shpifjen”, tha Mijatović. Po ashtu, ajo tha se nevoja për të siguruar që të gjithë qytetarët të kanë akses të plotë në informacionet zyrtare, sikundër garantohet nga legjislacioni shqiptar, është jetike: “Aksesi në informacion i lejon gazetarët të kryejnë detyrën si roje të publikut dhe të sigurojnë që të gjitha autoritetet të jenë të përgjegjshme e të punojnë në dobi të njerëzve”. Mijatović, gjithashtu, u ofroi autoriteteve mbështetjen e OSBE-së në reformimin e transmetuesit publik, kalimin në transmetimet numerike, sigurimin e pavarësisë së autoritetit rregullues dhe zbatimin e legjislacionit për lirinë e informimit.