OSHEE: 3 597 abonentë përfitojnë lehtësi për shlyerjen e faturave të prapambetura

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Skemat lehtësuese për shlyerjen e faturave të prapambetura të energjisë elektrike vijojnë të jenë në dispozicion të abonentëve, duke u krijuar mundësi familjeve dhe bizneseve të shlyejnë detyrimet e mbartura deri në vitin 2024 me kushte më të favorshme.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën të ditur se, deri në fund të korrikut 2026 kanë përfituar nga këto skema 3 597 abonentë. Prej tyre, në kategorinë e abonentëve familjarë, 829 kanë zgjedhur shlyerjen me këste, ndërsa 1 629 kanë përfituar reduktim të kamatëvonesave deri në 70%.
Ndërkohë, për abonentët jofamiljarë, 286 kanë lidhur aktmarrëveshje për pagesë me këste, ndërsa 855 kanë përfituar ulje të kamatëvonesave nga 50% deri në 100%, sipas kushteve të skemës.
Autoritetet bëjnë të ditur se afati për lidhjen e aktmarrëveshjeve dhe përfitimin nga skemat lehtësuese është deri më 31 dhjetor 2026.
Abonentët e interesuar mund të paraqiten pranë zyrave të Kujdesit ndaj Klientit për të marrë informacion dhe për të përfituar nga lehtësitë e ofruara për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

/e.xh/j.p/r.e/