Mbi 3 200 aplikime për kompensimin 10% të fermerëve, vlera arrin në 7,8 milionë euro

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Rritet numri i fermerëve që po aplikojnë për përfitimin e kompensimit 10% përmes autofaturës, në kuadër të skemës së mbështetjes së administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, deri më 4 gusht 2026 janë regjistruar 3 202 aplikime, me një vlerë totale kompensimi prej 7,8 milionë euro.
Të dhënat tregojnë se Drejtoria Rajonale e Tatimeve Fier kryeson me 1 631 aplikime, e ndjekur nga Berati me 830 aplikime dhe Elbasani me 267. Më pas renditen Shkodra me 218 aplikime, Korça me 158, Dibra me 23, Durrësi me 21, Gjirokastra me 19, Saranda me 15, Lezha me 14, ndërsa Vlora dhe Tirana kanë nga 3 aplikime secila.
Administrata Tatimore u bën thirrje fermerëve të aplikojnë përmes sistemit e-Filing deri më 31 dhjetor 2026, për të përfituar kompensimin prej 10% për faturat e periudhës janar–qershor 2026.
Sipas Tatimeve, skema synon të mbështesë fermerët dhe të nxisë formalizimin e aktivitetit bujqësor, duke lehtësuar procedurat për përfitimin e kompensimit.
Administrata Tatimore thekson se skema synon të mbështesë fermerët, të lehtësojë procedurat e përfitimit të kompensimit dhe të nxisë formalizimin e aktivitetit bujqësor.

/e.xh/j.p/r.e/