E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSLO – Pavarësisht përpjekjeve të Trump për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, Komiteti njofton se nuk do të ndikohet

OSLO, 12 shtator /ATSH-AFP/- Obsesioni i presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, muajin e ardhshëm – mund të ketë hasur si pengesë – pavarësinë “kokëfortë” të Komitetit Norvegjez të Nobelit, i cili këmbënguli se nuk mund të influencohet për të marrë një vendim.

Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump e ka bërë të qartë se dëshiron çmimin prestigjioz, të cilin rivali i tij demokrat, Barack Obama e fitoi për habinë e shumë njerëzve – menjëherë pas marrjes së detyrës në vitin 2009.

Miliarderi 79-vjeçar ka shfrytëzuar çdo mundësi për të thënë se “e meriton” çmimin, duke pretenduar se ka përfunduar gjashtë luftëra, edhe pse ato në Gazë dhe Ukrainë – të cilat ai thotë se dëshiron t’i zgjidhë – vazhdojnë të jenë të ashpra.

“Sigurisht, ne vërejmë se ka shumë vëmendje mediatike ndaj kandidatëve të veçantë”, tha sekretari i komitetit, Kristian Berg Harpviken, në një intervistë në Oslo.

“Por, kjo në të vërtetë nuk ka ndikim në diskutimet që po zhvillohen në komitet”, shtoi ai.

“Komiteti e konsideron çdo kandidat individual sipas meritave të tij ose të saj”, tha ai.

Laureati i këtij viti do të shpallet më 10 tetor.

Trump e ka mbështetur pretendimin e tij se e meriton çmimin – duke theksuar se disa udhëheqës të huaj – nga Benjamin Netanyahu i Izraelit deri te Ilham Aliyev i Azerbajxhanit, ose e kanë nominuar atë ose e kanë mbështetur nominimin e tij.

Megjithatë, nominimet e këtij viti duhej të dorëzoheshin deri më 31 janar, vetëm 11 ditë pasi Trump mori detyrën.

“Të nominohesh nuk është domosdoshmërisht një arritje e madhe. Arritja e madhe është të bëhesh laureat”, tha Berg Harpviken, drejtor i Institutit Norvegjez të Nobelit.

“Lista e individëve që mund të nominojnë është mjaft e gjatë”, tha ai.

Ata që janë të përshtatshëm përfshijnë anëtarë të parlamentit dhe ministra të kabinetit nga çdo vend në botë, ish-laureatë dhe disa profesorë universiteti.

Mijëra ose edhe dhjetëra mijëra njerëz janë në gjendje të paraqesin një emër.

Këtë vit komiteti do të zgjedhë fituesin nga një listë e gjatë prej 338 individësh dhe organizatash. Lista mbahet sekret për 50 vjet.

Kandidatët më të denjë hyjnë në një listë të ngushtë, ku secili emër vlerësohet më pas nga një ekspert.

“Trump ngriti çështjen e Çmimit Nobel për Paqen me ministrin e Financave të Norvegjisë, Jens Stoltenberg – ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s – gjatë një telefonate në lidhje me tarifat në fund të korrikut”, sipas të përditshmes “Dagens Naeringsliv”.

Ministria e Financave konfirmoi se telefonata kishte ndodhur, por jo nëse të dy kishin diskutuar për Nobel-in.

Laureat i papritur?

Ndërsa pesë anëtarët e Komitetit Norvegjez të Nobelit emërohen nga parlamenti i Norvegjisë, komiteti këmbëngul se vendimet e tij merren në mënyrë të pavarur nga politika partiake dhe qeveria aktuale.

Një shembull konkret është se ajo shpërfilli paralajmërimet diskrete të qeverisë norvegjeze dhe ia dha çmimin e vitit 2010 disidentit kinez, Liu Xiaobo, duke shkaktuar një ngrirje të thellë diplomatike midis Pekinit dhe Oslos – që zgjati me vite.

Norvegjia beson fuqimisht në multilateralizmin – që krijuesi i çmimit Alfred Nobel mbrojti gjatë jetës së tij – por që është “përmbysur” nga politika e Trump “Amerika e Para”.

Sipas ekspertëve, shanset që presidenti amerikan të marrë miratimin janë të vogla.

“Ky lloj presioni zakonisht rezulton të jetë kundërproduktiv”, tha Halvard Leira, drejtor kërkimesh në Institutin Norvegjez të Çështjeve Ndërkombëtare (NUPI).

“Nëse komiteti do t’ia jepte çmimin Trump tani, padyshim që do të akuzohej për përulje dhe shpërfillje të pavarësisë që pretendon se mbështetet”, tha ai.

Në gusht, tre historianë të Nobel-it renditën një numër arsyesh pse presidenti Trump nuk duhej të nderohej me këtë çmim, përfshirë admirimin e tij për udhëheqësin rus Vladimir Putin, i cili ka bërë një luftë kundër Ukrainës për tre vitet e fundit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›