E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rubin, dëshmitar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së: Kam shumë për të thënë

PRISHTINË, 12 shtator/ATSH/ Ish-diplomati amerikan, James Rubin, i cili ka punuar edhe me presidentin amerikan, Bill Clinton, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të jetë në Gjykatën Speciale të Kosovës për të dëshmuar në kuadër të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.

“Do të jem në Evropë sepse javën e ardhshme do të dëshmoj në Tribunalin special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, tha Rubin për emisionin “Christiane Amanpour Presents: The Ex Files ëith James Rubin”.

Gjykata Speciale, e cila i heton krimet e pretenduara të luftës, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.

Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023.

Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj në prill të këtij viti ndërkohë, më 15 shtator do të nis paraqitja e provave nga ekipet mbrojtëse./KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›