E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Arrestimi i Mlladiçit, një ditë e rëndësishme për viktimat e luftës

SHBA iu bashkua aleatëve të tyre evropianë dhe grupeve për të drejtat e njeriut duke përshëndetur arrestimin në Serbi të të kërkuarit për krime lufte Ratko Mlladiç. Ekspertët e Ballkanit thonë se shpresojnë që arrestimi i tij do të pasohet nga reforma në shërbimet serbe të sigurimit, ku mendohet se ka elementët që mund ta kenë fshehur Mlladiçin.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara përfshinte një deklaratë nga Presidenti Barak Obama, ku lavdërohej qeveria e Presidentit Boris Tadiç për ato që cilësoheshin si “përpjekje të vendosura” për të garantuar që Mlladiçi do të ballafaqohej me drejtësinë.

Obama e cilësoi këtë një ditë të rëndësishme për viktimat e Mlladiçit, për Serbinë, Bosnjen, Shtetet e Bashkuara dhe drejtësinë ndërkombëtare.

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner tha se arrestimi, megjithëse i vonuar, tregon se drejtësia ndërkombëtare funksionon

"Ky është një paralajmërim për të gjithë ata në mbarë globin, të cilët sulmojnë civilë, se nuk do të gjejnë vend ku të fshihen. Nuk e di nëse viktimat do të gjejnë ndonjëherë qetësim të plotë. Por për ata që kanë vuajtur nga këto krime të tmerrshme, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, shpresoj që kapja e Mlladiçit do të sjellë një farë ngushëllimi. Ka rëndësi që Serbia reagoi në mënyrën e duhur ndaj këtij individi dhe po tregon seriozitet për integrimin evropian” theksoi Toner.

Arrestimi i Mlladiçit, i akuzuar për genocid dhe krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, u përshëndet si “një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë” nga organizata Amnesty International.

Organizata Human Rights Watch tha se arrestimi tregon se askush nuk është mbi ligjin. Drejtori i programit për drejtësi ndërkombëtare pranë kësaj organizate, Riçard Diker e cilësoi Mlladiçin si “personifikim i brutalitetit” në luftrat ballkanike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›