Obama-Karzai bisedë telefonike, diskutime rreth kalimit të përgjegjësive

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe presidenti afgan, Hamid Karzai, kanë zhvilluar një bisedë telefonike në lidhje me vënien e forcave afgane në krye të sigurisë së Afganistanit gjatë vitit 2013.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, dy udhëheqësit “kanë konfirmuar se ndajnë të njëjtin qëllim, sa i përket vendosjes së forcave afgane në krye të operacioneve luftarake, me trupat amerikane në mbështetje, gjatë 2013-ës”, ndërsa “angazhohen për transferimin e plotë të përgjegjësive të sigurisë në fund të vitit 2014”.
Dy liderët gjithashtu janë dakodësuar që të bisedojnë më gjatë në lidhje me thirrjet e Karzait për tërheqjen e trupave të huaja nga fshatrat e Afganistanit.
Pas masakrës së 11 marsit, kur një ushtar amerikan ka vrarë 16 civilë afganë, Karzai ka kërkuar përshpejtim të përgjegjësive të sigurisë.
Obama ka ftuar Karzain të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Çikago, ku aleanca pritet të caktojë fazën e ardhshme të tranzicionit.
Samiti do të zhvillojë punimet në muajin maj.