E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama-Natanjahu, urgjent bisedimet e paqes

Obama i nxit hebrenjtë që të organizojnë bisedimet brenda shtatorit

Obama dhe Natanjahu pritet të kapërcejnë dallimet që kanë mes tyre në lidhje me ndërtimin e vendbanimeve izraelite. Presidenti Obama e priti ftohtë zotin Natanjahu në Shtëpinë e Bardhë, në muajin mars. Një veprim nga ana e Izraelit për të lehtësuar bllokadën në Rripin e Gazës është mirëpritur në Uashington dhe në kryeqytetet europiane. Ky takim është i rëndësishëm për të dy udhëheqësit. Presidenti Obama dhe Kryeministri Natanjahu kanë pasur një sërë dallimesh mes tyre, duke filluar që nga aktiviteti i vendbanimeve izraelite në Jerusalemin e pushtuar lindor e deri te politika ndaj Gazës. Por ndryshe nga pritja e ftohtë që zoti Natanjahu mori në muajin mars, kjo vizitë do të tregojë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë prapë në rrugën e duhur. Të dy udhëheqësit duan që bota ta marrë vesh se, pavarësisht disa dallimeve, marrëdhëniet amerikano-izraelite janë shumë të forta. Para bisedimeve, Obama pritej që t’i kërkonte Natanjahut shtrirjen e moratoriumit 10-mujor për ndërtimin e vendosjeve të reja në Bregun Perëndimor, por deri në orët e vona duket se një marrëveshje e tillë nuk është arritur. Ndërkaq, dihet se Obama kërkonte dhe bisedime të drejtpërdrejta paqeje mes palëve para 26 shtatorit, kur edhe ngritja e ndërtimeve merr fund. Megjithatë, gjatë gjithë kohës Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të ditur se nuk do të kërkojnë nga Izraeli ndërmarrjen e ndonjë lloj hapi që do të vinte në rrezik sigurinë e tij. “Unë besoj se Kryeministri Natanjahu do paqe dhe se ai është i gatshëm që të ndërmarrë rreziqe për arritjen e saj”, ka thënë Obama. Ky takim është i shumëpritur dhe në fokusin e vëmendjen e shumë analistëve dhe palëve pas ulje-ngritjeve që pësuan marrëdhëniet mes dy aleatëve në muajt e fundit, që kishin të bënin kryesisht me vendimin e Natanjahut për ndërtimin e ngulmimeve të reja në Jerusalemin lindor, i cili banohet nga palestinezët. Obama dhe Natanjahu kanë nënvizuar në fillim të takimit të tyre se sa e fortë është miqësia dhe lidhja që vazhdojnë të ndajnë të dyja vendet. Ndërkaq, protestues të ndryshëm janë mbledhur para vendit ku është zhvilluar takimi, duke kërkuar nga autoritetet amerikane që ta ndihmonin Izraelin, dhe ky i fundit t’i japë fund bllokadës së Gazës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›