E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Reforma shëndetësore, vendim historik për Amerikën

Vota e Kongresit, e rëndësishme për të ardhmen e miliona amerikanëve

“Ashtu siç thoshte Abraham Linkoln, jam i detyruar të them të vërtetën, jo të fitojë”. Këto ishin fjalët e fundit të Barak Obamës drejtuar demokratëve para votimit final të reformës aq të diskutuar shëndetësore. Kështu, Presidenti amerikan ju tha deputetëve të partisë së tij në “Capitol Hill”, duke cituar vazhdimisht fjalët e modelit të tij, njeriut që i dha fund skllavërisë, Linkolnit. “është një votim i vështirë, e di, por votoni për të gjithë ata bashkëqytetarë që nuk kanë akoma një mbulim shëndetësor. Unë kam besim, sepse e di që kjo është gjëja e duhur që duhet të bëjmë. Nëse ndonjë prej jush beson se ky ligj nuk është një përmirësim i “status quo”-së, ku personat janë të detyruar të vdesin pa kura, apo të shesin shtëpitë e tyre sepse nuk kanë paratë e nevojshme për t’i paguar ato; nëse me të vërtetë besoni nga thellësia e zemrës se është kështu; atëherë votoni të kundërtën. Por nëse besoni se sistemi aktual nuk funksionon dhe se shoqëritë e sigurimit nuk mbrojnë gjithmonë interesat e qytetarëve, atëherë votojeni këtë reformë. Nuk ju kërkoj ta bëni për mua, apo për Partinë Demokratike, por për popullin amerikan, për ata persona që nuk munden e që kanë nevojë për ndihmë”, tha ai. Obama u përpoq me të gjitha mënyrat t’i bindte deputetët se kjo ishte një nga sfidat më të mëdha për gjithë Amerikën. Thuajse i përlotur ai nisi të lexojë disa nga letrat që ai merr thuajse përditë në zyrë. Ato tregonin histori dramatike të njerëzve që nuk kishin asnjë mbulim shëndetësor. Presidenti vazhdoi më tej me fjalët. “E di që kjo reformë nuk është perfekte. Mungojnë pjesë që secili prej nesh do të donte të ishin. Kjo vlen edhe për mua. Megjithatë, bëhet fjalë për ndërhyrjen më të madhe legjislative të jetës së amerikanëve. Për këtë arsye jam i bindur se do të aprovohet. Në fund të fundit, për këtë kam hyrë në politikë, për këtë jam sakrifikuar. Sepse unë besoj te vendi im dhe te demokracia jonë”. Të gjithë e dinë, republikanë dhe demokratë, që kjo është një votë që në një mënyrë apo në një tjetër do të lërë gjurmë të thella jo vetëm në të ardhmen e presidencës së Barak Obamës, por të gjithë politikës së brendshme amerikane. Për të kaluar “provën” në Dhomën e përfaqësuesve në Kongres duhen gjithsej 216 vota. Mjaftojnë vetëm 38 vota kundër për ta rrëzuar. Reforma synon të sigurojë mbulim mjekësor për 32 milionë amerikanë që sot nuk janë të siguruar me një bilanc që kap shifrën e 940 milionë dollarëve për dhjetë vjet. Kjo reformë synon të vërë në zbatim një sërë normash kufizuese për kompanitë e sigurimit, ndryshe nga ato që ofron sistemi aktual. Mes tyre përfshihen rregulla të reja, si për shembull detyrimi nga ana e punëdhënësve për sigurimin e të gjithë punëtorëve dhe pengesat nga shoqëritë e sigurimit që u mohojnë klientëve mbulimin shëndetësor. Kundërshtarët republikanë dhe demokratët konservatorë thonë se është një sistem shumë i shtrenjtë dhe i jep qeverisë shumë të drejta të ndërhyjë në shërbimin shëndetësor privat. Sipas republikanëve, projektligji do të rrisë koston e pagesave mujore të sigurimeve shëndetësore, do të ndërpresë shpenzimet e kujdesit shëndetësor për të moshuarit dhe do të dëmtonte bizneset e vogla, të cilat krijojnë më shumë vende të reja pune. Ndërkaq, edhe pse deputetët demokratë janë optimistë se i kanë votat e nevojshme, zemërimi i opozitës ka shpërthyer brenda dhe jashtë Uashingtonit. Nëse reforma kalon më shumë se 30 shtete që drejtohen nga republikanët, janë gati të rebelohen kundër një ligji që sipas tyre është antikushtetues. SHBA është i vetmi vend i zhvilluar që nuk u ofron qytetarëve të vet kujdes të plotë shëndetësor.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›