Ina Rama korrigjon dosjet e Sollakut

Prokuroria e Përgjithshme shfuqizon vendimin e pushimit të disa dosjeve të krimit ekonomik të mbyllura nga akuza e kryeqytetit në periudhën kohore 2005-2006, të cilat ishin denoncuar nga mazhoranca aktuale pas ardhjes në pushtet. Vendimi ka ardhur menjëherë pas kontrollit të ushtruar në Prokurorinë e Tiranës nga Drejtoria e Inspektimit në akuzën qendrore, ku janë gjetur shkelje procedurale të disa dosjeve ekonomike, kryesisht për vlerësimin e veprave penale. Tashmë pritet që Task-Forca kundër krimit ekonomiko-financiar të kryejë disa verifikime dhe të vendosë nëse ka elementë të veprës penale e më pas të fillojë një hetim të plotë për dosjet që mazhoranca aktuale pretendon se qeveritë socialiste kanë shkelur ligjin për tenderë të KESH-it, tentativat për privatizimet dhe ndërtimet pa leje në qendër të Tiranës. Shkeljet e këtyre dosjeve janë gjetur edhe nga kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë në akuzën e kryeqytetit, veçanërisht për vlerësimin e provave, ndërsa janë konfirmuar edhe nga inspektimi i prokurorisë. Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme nuk mund të marrë asnjë masë administrative ndaj prokurorëve të çështjeve, pasi ka kaluar afati trevjeçar për të cilat është vendosur pushimi i dosjeve. Në ligjin “Për Prokurorinë” përcaktohet se nuk mund të merren masa administrative ndaj një prokurori, nëse çështja ka mbi tre vjet e regjistruar. Në këtë rast, dosjet ekonomike kanë mbi katër vjet që janë regjistruar në regjistrin e kallëzimeve në akuzën e kryeqytetit.
Dosjet e bujshmeBurime nga akuza qendrore thanë se dosjet ekonomike “të bujshme” të vitit 2005-2006 do të rihapen për të parë sesi janë vlerësuar provat, megjithatë asnjë masë nuk do të merret ndaj prokurorëve dhe ish-titullarëve të akuzës, duke parë kohën e gjatë që ka kaluar. Në këtë kohë, mazhoranca aktuale ka denoncuar në prokurori ndërtimin e paligjshëm të mbikalimit te “Zogu i Zi”, tentativën për privatizimin e kompleksit “Dinamo” dhe disa abuzime gjatë tenderëve për blerjen e energjisë nga KESH. Thatësira e madhe gjatë 2005-s ka sjellë që fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit 2006 t’i gjejë qytetarët shqiptarë në errësirë. Në krye të KESH-it u emërua Andi Beli, i cili u denoncua për disa parregullsi, kjo edhe në bazë të raporteve periodike të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Dosjet u regjistruan në Prokurorinë e Tiranës dhe pas verifikimesh paraprake u mbyllën me pretendimin se “nuk ka vepër penale”. E njëjta situatë ka ndodhur edhe për tentativën për privatizimin e kompleksit “Dinamo”. Prokuroria e Përgjithshme nuk konfirmon zyrtarisht nëse kjo dosje do të rihapet, ndërsa saktëson se në bazë të dy raporteve të akuzës dhe të ekzekutivit, pas kontrollit në Prokurorinë e Tiranës, janë urdhëruar të rihapen disa dosje ekonomike që janë denoncuar në vitet 2005-2006 dhe që janë pushuar në këto vite. Në këtë periudhë kohore, në Prokurorinë e Tiranës është hetuar edhe përplasja midis qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e mbikalimit te “Zogu i Zi”. Menjëherë sapo erdhi në pushtet PD-ja, u urdhërua prishja e kësaj vepre, ndërsa Prokuroria e Tiranës filloi hetimin për ndërtim të paligjshëm, duke parë se nuk ishin marrë lejet e ndërtimit. Pas prishjes, në prokurori u paraqit një kallëzim nga Bashkia e Tiranës, e cila pretendonte se veprimi i qeverisë ishte i paligjshëm. Të dyja kallëzimet u regjistruan në një dosje të vetme penale dhe prokurorët e çështjes kanë firmosur madje edhe fletëthirrjet. Në rastin e tentativës së privatizimit të kompleksit “Dinamo”, prokurorët e çështjes kanë firmosur edhe marrjen e dy ish-ministrave të pandehur, përkatësisht ai i Rendit, Igli Toska, dhe ai i Ekonomisë, Anastas Angjeli. Më pas dosja u pushua për mungesë provash, njësoj si prishja dhe ndërtimi i mbikalimit te “Zogu i Zi”.
KryeprokurorjaShfuqizimi i vendimeve për pushimet e dosjeve penale të periudhës 2005-2006 kryhet nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, e cila, në këtë rast duhet të “korrigjojë” paraardhësin Theodhori Sollaku. Në fakt, ky i fundit, gjatë kohës që drejtonte akuzën qendrore është sulmuar shpeshherë se “prokuroria fle mbi dosjet që qeveria denoncon korrupsionin”, ndërsa pas sulmesh të përsëritura ai është larguar nga posti, duke ia lënë vendin Ina Ramës. Ajo “është detyruar” nga dy raportet e kontrollit në Prokurorinë e Tiranës për të firmosur korrigjimin. “Pas konkluzioneve të raporteve në Prokurorinë e Tiranës, është vendosur se disa dosje penale ekonomike të pushuara në periudhën 2005-2006 të rihapen, pasi kanë parregullsi procedurale”, thanë burimet nga akuza qendrore, duke saktësuar se rihapja realizohet pasi asnjë prej hetuesve të këtyre çështjeve nuk mund të penalizohet, pasi ka kaluar koha trevjeçare që është vendosur pushimi. Duke se kjo është hera e parë që Kryeprokurorja Ina Rama vendos të “shfuqizojë” firmën e paraardhësit të saj, në përpjekje për të rregulluar sadopak marrëdhëniet me ekzekutivin, i cili kohët e fundit ka rënë në qetësi me prokurorinë, duke parë se çështjet e bujshme me të akuzuar zyrtarë të niveleve të larta të ekzekutivit janë pushuar.
#