E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama-Romney përplasen për politikën e jashtme

Me një forcë sfiduese presidenti amerikan Baraka Obama ka arritur të fitojë kundrejt kandidatit republikan Mitt Romney në debatin e tretë për politikën e jashtme, vetëm 15 ditë para ditës së madhe të votimit. Sipas analistëve Obama u shfaq si një kryekomandant me përvojë duke shpjeguar politikën amerikane nën udhëheqjen e tij dhe duke sulmuar pikëpamjet dhe propozimet e Romney, ish guvernator i Massachusetts me më pak përvojë në çështjet ndërkombëtare. Vrasja e 4 amerikanëve në Libi, lufta civile në Siri dhe programi bërthamor i Iranit, këto ishin disa tema të debatit të tretë dhe të fundit presidencial, që u shoqërua me kritika dhe me diskutime në hollësi të rolit të Shteteve të Bashkuara në botë.
 

Ish guvernatori Romney tha se politikat e presidentit mbi Lindjen e Mesme kanë qenë të paefektshme. Lidhur me çështje të tjera, si tregtia me Kinën, Romney u zotua të jetë më i ashpër se sa presidenti Obama, nëse zgjidhet president. Që në debatin e dytë, të dy kandidatët u angazhuan në replika rreth mënyrës se si administrata e trajtoi sulmin kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë.

Ish guvernatori Romney e kritikoi mbrëmë Obama se nuk ka një strategji të qartë për ndalimin e dhunës në Lindjen e Mesme.
"Unë e përgëzoj presidentin Obama për vrasjen e Osama bin Ladenit dhe ndjekjen që po i bën udhëheqjes së Al-Kaidës, por ne nuk mund të humbasim rrugën tonë nga kjo rrëmujë. Ne duhet të kemi një strategji shumë të plotë dhe të fuqishme për të ndihmuar botën Islame dhe pjesë të tjera të botës që kundërshtojnë ekstremizmin e dhunshëm radikal që sigurisht nuk është shuar."
 

Por Obama tha se Amerika ka bashkëpunuar ngushtë me aleatët për të sjellë paqen dhe demokracinë në rajon, duke përmendur Libinë si një shembull. "Pa dërguar trupat në terren, me kosto prej më pak se dy javë sesa kemi shpenzuar në Irak, për të çliruar një vend si Libia që ishte nën zgjedhën e diktaturës për 40 vjet, nga një despot që kishte vrarë amerikanë dhe përkundër tragjedisë në konsullatë, ne pamë dhjetra mijëra libianë pas ngjarjeve në Bengazi që marshuan duke thënë, "Amerika është miku ynë. Ne qëndrojmë me ta."
 

Mbi Iranin, Obama tha se administrata e tij ka treguar "forcën" duke zbatuar sanksione të ashpra, më të dëmshmet ndonjëherë ndaj Republikës Islamike, por kandidati republican thea se bota është katër vjet më afër një Irani bërthamor, duke shtuar se udhëheqësit e Iranit panë dobësi aty ku ata pritet të shohin fuqinë amerikane. Pavarësosht kritikave analistët ranë dakord se Obama fitoi debatin por pikëpyetje është nëse rezultati do të ketë një ndikim të madh në votuesit dhe në gara si një e tërë përpara ditës së zgjedhjeve.

 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›