Obama akuzon BP-në: Do të mbani përgjegjësi
Dje, Presidenti amerikan, Obama, ka ndërmarrë një sulm të ashpër dhe të drejtpërdrejtë ndaj “British Petroleum”, fajtores së drejtpërdrejtë të njërës prej tragjedive ambientale më të mëdha të kohërave moderne. Ndërkohë ai ka anuluar dhe pezulluar dhjetëra projekte të kompanive të naftës për shpime në sipërfaqen e detit. Ndërkaq e ka dënuar si “skandaloze” marrëdhënien shumë të afërt që kanë kompanitë e naftës me rregullatorët e qeverisë. “Për sa më takon, BP është përgjegjëse për këtë katastrofë të tmerrshme dhe ne i akuzojmë dhe i bëjmë plotësisht përgjegjës në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komuniteteve të viktimizuar nga kjo tragjedi. Ne do të kërkojmë që ata të paguajnë deri në qindarkën e fundit për dëmin që kanë bërë dhe humbjet e dhimbshme që kanë shkaktuar”, ka deklaruar Obama, ndërsa ka shkuar personalisht në zonat e dëmtuara nga shpërthimi i vazhdueshëm i naftës për shkak të dy çarjeve të mëdha të pësuara në tubacionet që ndodhen mijëra metra në thellësi të detit. Ndërkaq, sipas disa njoftimeve, strategjia më e fundit e përdorur nga BP për të ndaluar rrjedhjet duket se ka arritur njëfarë suksesi, por Presidenti u shpreh se ende nuk ka garanci për sukses. Në konferencën e tij të parë për shtyp gjatë këtyre 10 muajve të fundit, Obama deklaroi se do t’ua linte të tjerëve që ta gjykonin pozicionimin e tij në këtë situatë katastrofale për ambientin dhe nëse ishte apo jo kjo tragjedi shkak për dëmtim të reputacionit. Disa mendojnë që kjo katastrofë do të jetë për reputacionin e Obamës siç ishte për Bushin uragani Katrina. Megjithatë, Obama ka pasur besim se këtë herë gjërat janë krejt ndryshe. “Njerëzit do të shohin pas dhe do të vlerësojnë e kujtojnë se kjo administratë ka qenë në krye të menaxhimit të një situate të paprecedentë”, ka deklaruar Presidenti.
Për herë të parë që nga shpërthimi i 20 prillit, që shkaktoi edhe dy çarjet e mëdha në fund të detit, shpërthim që vrau 11 persona, Obama ka marrë përgjegjësi personale për të gjitha përpjekjet që po bëhen për të ndaluar rrjedhjet dhe për t’u përballur me pasojat e rënda ambientale. Sipas vlerësimeve të fundit, sasitë e naftës që kanë dalë se janë derdhur në det, janë të jashtëzakonshme dhe rreth 4 herë më të mëdha se në rastin e tragjedisë së ngjashme të shkaktuar nga Exxon Valdez në Alaskë në vitin 1989. Por ndërkohë Obama pranoi se qeveria amerikane nuk disponon teknologjinë e duhur për t’u marrë me tragjedinë. Kjo deklaratë duket se bie ndesh me atë çka ai pretendon në lidhje me pasjen e situatës nën kontroll. Një nga organizmat e kontrollit, Shërbimi i Menaxhimit të Mineraleve, një agjenci shtetërore që mbikëqyr të gjitha veprimtaritë për nxjerrjen e mineraleve dhe lëndëve djegëse nga nëntoka, është akuzuar vazhdimisht si një institucion i korruptuar. “Industria e naftës ka një lidhje të ngushtë dhe shpesh të korruptuar me rregullatorët e qeverisë, që thuajse nuk merren fare me detyrën e tyre parësore”, ka deklaruar Obama. Më pas ai tha se kishte gabuar kur mendonte se kompanitë e naftës, ashtu siç pretendonin, ishin të përgatitura që të përballonin me sukses situata të tilla të rënda. Ai tha dhe se shqetësimet në lidhje me legjitimitetin e transparencës së BP-së në lidhje me situatën ishin të mëdha. Obama shkoi personalisht në Gjirin e Meksikës për të parë situatën dhe për të krijuar përshtypjen se ishte në krye të punëve. Ndërkaq, duke mos pasur shans tjetër, ai ka anuluar 33 projektet për shpime në sipërfaqen e detit, që ishin në pritje për të marrë lejen presidenciale. Gjithashtu janë pezulluar edhe shpimet në veri të Alaskës.
#