E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet këshilli bashkiak, dështon buxheti i Tiranës

Shkak për anulimin e diskutimeve është bërë mungesa e anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim

Buxheti i kryeqytetit edhe pse për pak kohë do të jemi në muajin e gjashtë të vitit, ende nuk është miratuar. Madje, gjasat janë që miratimi i fondit të Tiranës të vazhdojë të zgjatet më tej së bashku me telenovelat, diskutimet dhe ankimimet mes palëve. Dje është njoftuar zyrtarisht mbledhja e radhës e këshillit bashkiak të kryeqytetit. Ndërkohë që kjo mbledhje mes të “urtëve” të zgjedhur nga banorët kryeqytetas, ka dështuar bashkë me diskutimin e miratimin përfundimtar të buxhetit të Tiranës për këtë vit. Shkak është bërë mungesa e këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët mbajnë edhe postin e kreut të këtij këshilli. Përfaqësuesit demokratë nuk pranuan që mbledhja të drejtohej nga nënkryetarët e këshillit, ndërsa socialistët kërkuan që diskutimet për buxhetin të vazhdojnë edhe pa praninë e tyre. Palët u tërhoqën për të marrë një vendim dhe kjo i dha fund edhe takimit të djeshëm. Takimi mes këshilltarëve bashkiakë të kryeqytetit ka ardhur pas dy muajsh reflektim dhe heshtje. Këtë vit ashtu si asnjëherë tjetër, është shkelur çdo afat ligjor e çdo rregull në fuqi për miratimin e dokumentit më të rëndësishëm financiar të Tiranës. Afati i fundit zyrtar për të hedhur në votë buxhetin bashkiak ishte data 31 marsi. Ndërkohë që, vendorët kryeqytetas vazhdojnë të punojnë, duke shfrytëzuar një të 12-ën e fondeve të buxhetit të mëparshëm.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›