Obama e Cameron në një mendje për plan imediat për euron

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri britanik David Cameron vlerësojnë si “të nevojshëm” një plan të menjëhershëm për krizën e eurozonës.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Cameron, pas një bisede telefonike të zhvilluar mbrëmjen e së martës mes presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.
“Plani duhet të risjellë besimin në tregjet financiare dhe të elaborojë një strategji afagjatë për të garantuar një monedhë të përbashkët të fortë”, ka deklaruar zëdhënësi.
Dy ditë më parë, Shtëpia e Bardhë u shpreh skeptike për mundësinë e ringjalljes së tregjeve financiare pas manovrave të ndërmarra nga Evropa për të shmangur një përkeqësim të mundshëm të krizës.
Zëdhënësi Jay Carney ritheksoi se duhen hapa të tjerë përpara për të bindur tregjet financiare se është bërë sa duhet për të mposhtur krizën e tejzgjatur të borxhit, që tani kërcënon edhe rimëkëmbjen e brishtë të ekonomisë amerikane.
“Tregjet mbeten skeptike se masat e ndërmarra derimë tani janë të mjaftueshme për të siguruar rimëkëmbjen e Evropës dhe për të eleminuar rrezikun që kriza të përkeqësohet. Prandaj, kërkojmë që të ndërmerren hapa të mëtejshëm”, deklaroi Carney.
Deklarata e zëdhënësit erdhi pas asaj të shefit të tij, Barack Obama, që në fjalimin tradicional të së shtunës tha se: “Kriza ekonomike evropiane ka hedhur hije edhe mbi ekonominë tonë. E gjitha kjo bën më të vështirë rimëkëmbjen e plotë të ekonomisë amerikane”.