E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, edhe njëherë në krye të SHBA-së

Në një ceremoni madhështore të mbajtur përpara selisë së Capitol Hill, presidenti amerikan Barack Obama është betuar përpara amerikanëve për mandatin e tij të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Në fjalimin e tij përpara mijëra spektatorëve, Obama u ka kërkuar qytetarëve amerikanë që “të kapin momentin”.
Sipas Obamës, mundësitë e Amerikës janë të pafund tani kur kombi po del nga një dekadë e tërë luftërash dhe një krizë e gjatë ekonomike.

“Amerikanët e mi, ne jemi bërë për këtë moment dhe do ta kapim atë-për sa kohë që e kapim bashkë,” ka thënë Obama.
I ndodhur përpara Shefit të Drejtësisë, John G. Robert Jr, Obama është betuar me dorën mbi dy bibla, njëra që dikur ka qenë e presidentit Abraham Lincoln dhe tjetra e Martin Luther King Jr.

“Shtetet e Bashkuara kanë detyrime kundrejt pjesës tjetër të botës dhe do të mbështesin gjithmonë demokracinë, nga Azia në Afrikë dhe nga Amerikat në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin të drejtat e personave në nevojë dhe lirinë”, ka thënë Obama duke iu drejtuar mijëra spektatorëve.

Obama, 51 vjeç, është presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i pari president me ngjyrë. Në ceremoninë e tij të betimit kanë marrë pjesë edhe ish-presidentët Bill Clinton dhe Jimmy Carter, dhjetëra senatorë, liderë të Kongresit dhe mysafirë të tjerë të shquar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›