Obama në Australi, siguria dhe ekonomia në qendër të vizitës

Pas drejtimit të takimit të APEC-ut në Hauai, Presidenti Barak Obama javën që vjen bën një vizitë të shtyrë prej shumë kohësh në një prej vendeve aleate kryesore të Shteteve të Bashkuara, Australi. Dy vendet pritet të njoftojnë zyrtarisht një marrëveshje për zgjerimin e përdorimit të bazave ushtarake australiane nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Obama kishte në plan të vizitonte Australinë që nga viti i kalouar por ju desh të shtynte udhëtimin dy herë si rezultat i legjislacionit për kujdesin shëndetësor dhe pastaj pas rrjedhës së naftës në Gjirin e Meksikës. Australia është një prej pesë aleatëve amerikanë të traktatit në rajon dhe po ashtu një prej nëntë vendeve të përfshira në negociata për krijimin e një Partneriteti të ri Trans-Pasifik.
Vizita një ditore e presidentit Obama përkon me 60 vjetorin e Traktatit të vitit 1951 ANZUS (Australia, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara) që përcaktoi angazhime për siguri të përbashkët.
Përveç Kanberës, ku presidenti do t`i drejtohet Parlamentit, ai do të ndalojë në Daruin, skenë e disa prej bombardimeve më të mëdha japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shtetet e Bashkuara dhe Australia kanë lidhje tejet të ngushta ushtarake dhe zbulimi. Australia ka trupa në Afganistan. Zoti Obama pritet të nderojë ushtarët australianë të vrarë dhe plagosur gjatë sulmeve të fundit atje.
Themelet për marrëveshjen ushtarake u hodhën gjatë bisedimeve ndërmjet zyrtarëve ushtarakë amerikanë dhe australianë gjatë muajve të fundit. Në bazë të marrëveshjes, ushtria amerikane do të ketë qasje më të madhe në bazat Austaliane në perëndim të vendit dhe vendosje të paisjeve të nevojshme.
Ekspertët rajonal thonë se Austalia do të përfitojë shumë ndërkohë që Shtetet e Bashkuara marrin në shqyrtim forcat ushtarake dhe merren vendimet mbi prezencën ushtarake amerikane në Azi-Paqësorë dhe koston që vjen me të.
Pas vizitës në Australi, Presidenti Obama shkon Në Bali dhe takimin e nivelit të lartë të Azisë Lindore. Atje do të zhvillojë disa takime dypalëshe, përfshi presidentin kinez Hu Jintaoi dhe një që pritet me presidentin rus Dmitry Medvedev. Ai do të ketë të njëjtin mesazh që transmetoi për udhëheqësit në takimin e APEC-ut se Shtetet e Bashkuara synojnë të jenë një partner i besueshëm ekonomik dhe e shikojnë Azi-Paqësorin si pjesën më dinamike të botës për dekada që vijnë, dhe një rajon ku stabiliteti është vëndimtar.