Obama propozon supertaksë për të pasurit
Plani fiskal përfshin 30 për qind taksë për milionerët për të reduktuar deficitin
Shtëpia e Bardhë propozoi dje një buxhet që do të reduktojë me shpejtësi deficitin buxhetor gjatë tre viteve të ardhshme, duke detyruar milionerët për pagesën e më shumë taksave ndërsa disa shkurtime të programuara shpenzimesh do të zëvendësojnë masat aktuale të imponuara nga mungesa e marrëveshjes mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres.
Buxheti i propozuar nga Presidenti Barack Obama për vitin 2014 thotë se ata që fitojnë më shumë se 1 milion dollarë në vit do të duhet të paguajnë 30 për qind tatim mbi të ardhurat personale pasi të kenë shlyer pagesat për dhurata dhe bamirësi.
Kjo rritje, krahas shkurtimit të shpenzimeve dhe një tavani mbi reduktimet e taksave për të pasurit, do të reduktojnë deficitin buxhetor amerikan në 2.8 për qind të PBB-së në vitin 2016 dhe në 1.7 për qind të PBB-së në vitin 2023. Për këtë vit deficiti parashikohet të jetë 5.3 për qind e PBB-së.
Por propozimi i presidentit për buxhetin duket se ka pak shanse për tu miratuar si ligj, gjë që do të thotë se do të shërbejë vetëm si një bazë për negocimin me republikanët në Kongres. Republikanët kanë hartuar një propozim të tyrin.
Zyrtarë të administratës së Obamës thanë se, pavarësisht rezistencës së udhëheqësve republikanë në Senat ndaj idesë së rritjes së taksave, ata shpresojnë që plani do të sjellë një marrëveshje për reduktimin e deficitit buxhetor.
Ka ende njerëz në anën e republikanëve, së paku në Senat, të cilët thonë se janë të gatshëm të negociojnë një zgjidhje, tha zyrtari në kushtet e anonimitetit.
Këshilltarët e presidentit thonë se propozimi do të arrijë kursimet e nevojshme prej 1.8 trilionë dollarësh për një periudhë dhjetëvjeçare. Duke shtuar këtu edhe shkurtimet e programuara më parë, të cilat arrijnë në 2.5 trilionë po për të njëjtën periudhë, deficiti total për një dekadë do të reduktohet me 4 trilionë dollarë, një objektiv që si republikanët ashtu edhe Shtëpia e Bardhë kanë thënë se është i pranueshëm.
Republikanët e hodhën poshtë menjëherë propozimin e Obamës, veçanërisht planet për reduktimin e deficitit, të cilat i propozuan si joserioze.
Kur shikon me vëmendje faktet, duket se me këtë plan të propozuar nuk mund të ketë më shumë se 600 miliardë dollarë reduktim deficiti gjatë një dekade dhe se i gjithë ky reduktim duhet të vijë përmes rritjes së taksave, tha Don Stewart, zëdhënës për udhëheqësin republikan të Senatit, Mitch McConnell. Me fjalë të tjera, nuk është një plan serioz. Në pjesën më të madhe është thjesht një listë me dëshira nga krahu i majtë, tha ai.
Presidenti duket se po synon të rihapë bisedimet për të zgjidhur një konflikt të gjatë me kundërshtarët e tij në Kapitol (selia e Kongresit dhe Senatit). Për ta arritur këtë, Obama ka ofruar një koncesion që sakaq ka zemëruar shumë nga mbështetësit e tij: ai ka propozuar përdorimin e një matjeje më bujare inflacioni për të llogaritur rritjen e kostos së jetesës për përfituesit e shumë programeve federale të mbrojtjes shoqërore. Një nga pasojat e kësaj do të jetë reduktimi i përfitimeve nga programi i pensioneve të Sigurimeve Shoqërore. Megjithëse Obama ka premtuar se do të mbrojë përfituesit më të dobët, propozimi ka tërhequr kundërshtime të ashpra nga demokratët si dhe nga grupet sindikaliste apo përfaqësuesit e të moshuarve.
Në të njëjtën kohë, propozimi i tij përballet me kundërshtime pa kompromis nga udhëheqësit republikanë, të cilët refuzojnë idenë e çdo rritjeje taksash.
Obama propozon supertaksë për të pasurit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email