Obama thirrje per vende te reja pune

Presidenti amerikan Barack Obama do të bëjë thirrje për shpenzime të reja publike me qëllim krijimin e vendeve të punës, që pritet të shkaktojë kundërshtimin e rivalëve politikë që thonë se shkurtimet nga ana e qeverisë janë në rrugë e sipër.
Në fjalimin e përvitshëm që presidenti mban para Kongresit, Obama pritet të kërkojë investime të reja në arsim, kërkime dhe infrastrukturë.
Zoti Obama tha gjatë fundjavës se krijimi i vendeve të reja të punës ishte objektivi i tij numër një. Por republikanët kanë paralajmëruar se do t’i refuzojnë thirrjet e tij për shpenzime shtesë.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare shprehen se fjalime të tilla rrallë herë janë të rëndësishme, por janë një oportunitet. Vitin e kaluar presidenti Obama u ndoq nga 48 milionë persona.
Presidenti mund ta përdorë fjalimin për të kushtëzuar debatin para tentativës së rizgjedhjes së tij në vitin 2012, duke bërë thirrje për arsyetim dhe konsensus.