Objekte totemike prej Spaçit politik

Nje vogelushe luan ne oborrin ku jane ekspozuar fotot nga Spaçi
Valeria Dedaj / Elsa Demo
Objekti i parë që dëshmon nëpërmjet fotografisë Fatos Lubonja nga vendet e burgjeve ku vuajti 17 vjet dënim polik, është një burim uji në Spaç. Kjo foto ilustron kopertinën e ditarit Në vitin e shtatëmbëdhjetë (1994) që u shkrua vitin e fundit në burg e që doli prej andej me blloqet e shënimeve, letrat familjare, librat që kish lexuar dhe disa kuti bërë me dorë. Keq i vjen që nuk ka ruajtur asnjë veshje siç mund të kenë bërë bashkëvuajtës të tjerë.
Vite më vonë ai udhëton drejt Spaçit me fotografen Barbara Hausammann për të filmuar dhe regjistruar historinë e tij. Hausammann fotografoi mjaft, por më përfaqësuesja e fotove, bardhë e zi, është varur një faqe muri, në ballë të ekspozitës Spaç: Objekte Subjekte. Aty shfaqet ish i dënuari politik Lubonja me malin e minierës përballë, në krye të monopatit që merrnin përditë të burgosurit, një shteg midis një grope dhe rrëpire dheu. Pas kësaj rrëpire fshihen galeritë e bakrit e për të shkuar deri aty duhej përshkuar harku i njërës brinjë të malit. Sot e kaq vjet galeritë janë mbyllur. Spaçi funksionoi për sa kohë e mbante minierën puna e të burgosurve. Kjo do ta bënte një kompleks me rëndësi historike. Sepse shfrytëzimi i të dënuarve politikë si krah pune në miniera, veç Spaçit edhe kampit burg të Qafë-Barit, ku edhe aty kaloi Lubonja, nuk është gjë e zakonshme për historinë politike nën komunizëm të Europës. Për ta dëshmuar si të tillë skanë mbetur veç dy ndërtesat e rrënuara të kampit.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve mendon ta bëjë muze historik për diktaturën Spaçin. Por Fatos Lubonja ka frikë se është pak vonë. Kjo frikë aspak skeptike lidhet me një bindjen e tij të hershme se shqiptarët nuk i kanë zhvilluar ende instrumentet kulturorë për tiu kthyer seriozisht të kaluarës.
E po të ishte për muze, pjesa më e rëndësishme për tu treguar turistëve, pjesa që bart tanimë kujtimin apo hijen e vuajtjeve, janë pikërisht galeritë e fshehura brenda malit të asaj fotoje.
Edhe objektet që ai solli me vete nga Spaçi në vitin 2011, një pjesë e mirë lidhen me punën në minierë. Ekspozimi i tyre në trajtën e instalacionit ia sjell publikut në një formë mjaft konkrete historitë për të cilat Lubonja dhe bashkëvuajtës të tij, dhe jo pak të mbijetuar nga burgjet e gjata politike të diktaturës komuniste në Shqipëri, kanë dëshmuar nëpërmjet letërsisë dokumentare. Që nga pionieri i këtyre dëshmive Arshi Pipa me Libri i burgut (1959), te Pater Zef Pllumi Rrno vetëm për me tregue (1995-2001), Maks Velo, Bashkim Shehu, Visar Zhiti, Uran Kalakulla etj..
Është domethënëse lidhja e objekteve me një botë që nuk ekziston më. Vetë objektet nuk janë në trajtën e tyre të plotë. Një lopatë që vetëm sa të kujton që dikur paskesh qenë lopatë, ka ardhur në ekspozitë si një objekt totemik. Për të tani, konceptuesi i saj mund të flasë më saktë si arkeolog i kujtesës dhe të nxjerrë prej gjendjes së nostalgjisë e të hidhërimit, prej mallit të një jete që ka ikur, prej mallit të një jetë të mbushur me dhimbje, refleksione për njerëzit dhe jetën.
Në çmënyrë mund të jenë objektet shkas për refleksion? Duke shkuar nëpërmjet tyre te historitë dhe profilet e njerëzve që i kanë përdorur apo që kanë jetuar në të njëjtin mjedis me to. Nga ky montazh i kujtimit me objektin prezent dalin portretet e bashkëvuajtësve, të dënuar në të njëjtin kamp, herë individualisht e herë në grup.
Lopata e ekspozuar në një kuti xhami me një qëndrim çuditërisht të lexueshëm e imponues, është aty për të personifikuar bashkëvuajtësin Xhelal Beu, i cili, – siç tregojnë shënimet e Lubonjës pranë çdo objekti kishte 40 vjet burgjeve. Me një mjet si ky, Xhelal Beu pastronte rrugën ku kalonin kamionët që ngarkonin mineralin që nxirrnin të burgosurit.
Një lak/kurorë teli me gjemba i ndërmend shikuesit kurorën me gjemba që Krishtit duke ia tallur mbretërinë, ia vunë mbi krye rrugës së Golgotës. Në fakt ky objekt fetish me referencë biblike dhe atribute etike për vlera njerëzore, lidhet me portretin e Zefit. Është At Zef Simoni, profilin e të cilit prej shërbëtori të zotit, Lubonja e ngre mbi atë kolektivitet të egër mashkullor në kampin e Spaçit, prej të cilit vinin rrahje, hakmarrje, urrejtje. Një ditë, shoku me të cilin hante bukë, Koleci, e qëllon Zefin me shuplakë në mes të mensës. E pas kësaj priste që mos ti shikonte më bashkë, por për çudi e pa prapë Zefin të nesërmen me shokun e bukës, të ulur në të njëjtën tryeze dhe më të njëjtën dashuri si më parë.
Objekti rrethor që ngjall përfytyrimin e një mbetjeje qindravjeçare nga nëntoka arkeologjike, i takon kushinetës së një vagoni. Ajo prezanton në këtë rrëfim-instalacion, kujtimin e dy nivelistëve në minierën e bakrit, Nushi dhe Xhaviti. Prej këndej Lubonja tregon ditën e tij të parë në minierë.
Objektet apo më saktë gjysmë-objektet, kanë një forcë sintetike të mrekullueshme. Nëpërmjet pjesës shikuesi shkon tek e tëra, e prej të tërës, e cila në të vërtetë nuk ekziston as në këtë ekspozitë dhe as në realitetin e Spaçit sot, publiku komunikon me një kompleks arkitektonik imagjinar. Për shembull, një objekt tjetër është një copë litar metalik i organellës. Kjo, organella, ishte një mekanizëm me një kafaz hekuri mbi katër rrota që zbriste vagonët me bakër dhe i ngjiste bosh në pikën e nisjes në thellësi të malit. Këtë objekt matës të durimit prej Sizifi të të burgosurve, Lubonja e lidh me figurën e Ahmetit, për aktin e tij sfidues. Ahmeti u arratis një ditë, por nuk ia doli mbanë. U dënua me vdekje, me pushkatim.
Ganxhat me të cilat minatorët mbërthenin trupat prej druri në galeri, janë një homazh për punën e rëndë që bënin përditë Sherifi, Zeneli, Mirashi dhe gjithë minatorët e tjerë, por Lubonja vetë se kish bërë vetëm falë trupit të tij të imtë. Të kalosh pjesën më të rëndësishme të jetës, 17 vjet në burg, nga mosha 23 deri në 40 vjeç dhe të jesh i mbingarkuar me emocione, me dhembje, me vuajtje, me dashuri, me frikë apo me urrejtje, ska se si këto ndjenja të mos ndikojnë. Por sesi kanë ndikuar, çfarë traumash kanë lënë, apo sesa i kam përpunuar unë ato kjo është një tjetër gjë. Është përgjigjja që ai jep për pasojat që lë vuajtja e trupit, ajo fizike, në shëndetin mendor e shpirtëror të një të dënuari.
Kunjat e hekurit që mbërthenin shinat në traversat, atij i kujtojnë Luigjin, që me një trastë në krah ku mbante sqeparin e këto kunja, vraponte gjithë ditën nga njëri front në tjetrin për të shtruar shinat të cilat i transportonte vetë. Nuk di se sa kilometra shina ndodhen sot në barkun e malit të Spaçit të shtruara nga Luigji. Nuk di edhe se sa pasdite pas pune i kam kaluar duke luajtur shah e pirë duhan të dredhur e pastaj vetëm tym duhani me Luigjin.
Një trup druri në të cilin duket sikur ka mbirë një bimë dhe dy llamarina të bëra shoshë të një koshi vagoni, janë objekte pa titull. Dy hekurishte të instaluara pranë njëra-tjetrës, bartin një etikë: njëra me krahët hapur si personifikim i qëndresës e tjetra me kryet poshtë si figurë që dëshmon përkuljen e njeriut. Ndërsa dy llamarina të shtypura e të vendosura në një kompozim shenjash vrarë lije, marrin atributin e një portreti bashkëvuajtësi. Ka shumë objekte që personifikojnë ata njerëz të cilët për shumë arsye unë kam vendosur ti lë pa emër. Ka shumë bashkëvuajtës të cilët nuk më kanë ngjallur admirim, prandaj këta të ish-të burgosur kam dashur ti lë enigmë duke i quajtur portret bashkëvuajtësi.
Nga Spaçi në gjendjen e