Objektet e trashëgimisë në Shkodër, DRTK: Restaurimi, peng i problemeve të pronësisë

Restaurimi i objekteve që kërkojnë ndërhyrje emergjente në zonën historike të qytetit të Shkodrës mbetet një nga sfidat më të mëdha të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
Sipas drejtueses së këtij institucioni, Amila Gjyrezi, pengesat kryesore lidhen me problemet e pronësisë, të cilat kanë vonuar zbatimin e projekteve për rivitalizimin e këtyre godinave historike.
“Sfidat mbeten të shumta, përsa i përket edhe qendrës historike edhe të gjithë zonës së mbrojtjes. Një nga problemet më të ndërlikuar që gjen vështirësi, lidhet me banesat monument kulture sepse shpesh kemi të bëjmë me shumë bashkëpronarë, përfshirë edhe persona që jetojnë jashtë vendit, që në një farë mënyrë janë pjesë, apo familjarë të monumentit. Ose mund të jenë të paidentifikuar. Kjo vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen për restaurim pasi kërkohet pëlqimin i plotë ligjor i të gjithë pronarëve”, tha zonja Gjyrezi.
Pavarësisht kësaj, DRTK Shkodër, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ato qendrore, po punon për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe sa më të shpejtë.
“Vetë qyteti mund të ketë edhe 5-6 banesa që janë në rrezik shembjeje, pra që kanë vështirësi dhe aty po punojmë për realizimin e projekteve totale“, theksoi ajo.
Aktualisht, Shkodra ka rreth 150 objekte të certifikuara si monumente kulture, shumica prej të cilave janë banesa tradicionale me vlera historike dhe arkitektonike. Gjatë tre dekadave të fundit, qyteti ka humbur disa prej shtëpive më emblematike, si ajo e Luigj Gurakuqit dhe Migjenit. Ndërkohë, objekte të tjera ndodhen në rrezik shembjeje dhe kërkojnë ndërhyrje për të shpëtuar trashëgiminë e mbetur
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/