Objekti 5-katësh pa leje në Himarë, procedohen katër punonjës policie

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) vijon hetimet për dokumentimin e plotë të përgjegjësive të punonjësve të Policisë së Shtetit lidhur me ndërtimin e një objekti 5-katësh pa leje në Himarë, i cili u shemb nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Sipas AMP-së, hetimet kanë nxjerrë në pah përfshirjen e zinxhirit komandues të strukturave policore të Komisariatit të Policisë Himarë. Katër punonjës policie po procedohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në kuadër të hetimit janë ndaluar Emiljano Prenga, ish-shef i Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, dhe Klodian Petani, ish-specialist i Hetimit të Krimeve në këtë komisariat.
Ndërkohë, Ferit Merkaj, ish-shef i Komisariatit të Policisë Himarë dhe aktualisht shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Vlorë, si dhe Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë, janë shpallur në kërkim.
AMP bën të ditur se, në vijim të veprimeve procedurale, dy prej punonjësve të shpallur fillimisht në kërkim janë paraqitur dhe janë ndaluar me iniciativën e tyre, ndërsa dy të tjerët nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse, pavarësisht njoftimeve.
Për dy punonjësit që nuk janë gjetur janë kryer procedurat për shpalljen e tyre në kërkim.
Hetimi vijon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ndërtimit të paligjshëm në Himarë dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të personave të përfshirë.
/gj.m/r.e/a.f/