E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra shëndetësore verore në Malin e Robit, shërbim 24/7 për pushuesit vendas dhe të huaj

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Qendra shëndetësore verore në Malin e Robit (Durrës) vijon të ofrojë shërbim mjekësor për pushuesit dhe vizitorët, duke garantuar kujdes shëndetësor të shpejtë dhe cilësor pranë zonave më të frekuentuara të qytetit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se një rast i trajtuar së fundmi është regjistruar në këtë qendër shëndetësore, ku është paraqitur një turiste 75-vjeçare nga Franca, pas një dëmtimi në këmbën e majtë.

Sipas ekipit mjekësor, gjatë ekzaminimit fizik u konstatua ënjtje dhe ekimozë e këmbës.

“Për shkak të këtyre gjetjeve klinike dhe me qëllim përjashtimin e një frakture apo dëmtimeve të tjera kockore, pacientes iu rekomandua kryerja e një radiografie ambulatore të këmbës”, shprehet mjekja.

Në zonat turistike të vendit janë hapur 29 qendra shëndetësore, për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët që do të frekuentojnë Shqipërinë këtë sezon veror.

Barnat dhe materialet mjekësore në këto qendra janë të garantuara, ndërkohë që qytetarët mund të telefonojnë edhe Urgjencën Kombëtare (127) për çdo emergjencë shëndetësore.

Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjoll, Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalëzit, Currila, Plazhi i Vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24-orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit.

Në rajonin e jugut funksionojnë këto qendra shëndetësore verore: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin e Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum; Në Bashkinë Himarë: Palasë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i Vjetër dhe Ksamil i Ri.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›