Ofensive e re ruse ndaj Ukrainës/ Stoltenberg: Perëndimi nuk sheh te Putini asnjë shenjë për paqe

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se ofensiva e re ruse në Ukrainë veçse ka nisur.
Duke folur sot për gazetarët në Bruksel Stoltenberg u shpreh se aleanca ushtarake perëndimore “nuk sheh asnjë shenjë” se presidenti rus, Vladimir Putin, po përgatitet për paqe.
“Çfarë po shohim është se presidenti Putin dhe Rusia ende dëshirojnë të kontrollojnë Ukrainën. Ne shohim se si ata po dërgojnë më shumë trupa, më shumë armë, më shumë aftësi”, shtoi ai.
Forcat ruse kanë qenë të përfshira për muaj të tërë në një ofensivë në lindje të Ukrainës në përpjekje për të marrë kontrollin e qyteteve strategjike, përfshirë edhe të Bahmutit, që gjendet në rajonin ukrainas të Donjeckut.
Më 11 shkurt, Rusia bëri të ditur se kreu një “sulm masiv” me raketa dhe dronë mbi infrastrukturën energjetike ukrainase dhe se nga ky sulm arriti të bllokojë një hekurudhë dhe disa rrugë tokësore që përdoren për dërgimin e armëve perëndimore për forcat ukrainase. Ky sulm është parë nga shumë vëzhgues si tregues se një ofensivë më e gjerë – që pritej të ndodhte në shkurt, para përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt – ka nisur.
/rtsh.al/