E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ogreni dhe Neda, natë romantike

Nga Express më 24 janar 2011 në ora 10:40

Orët pas spektaklit të së shtunës janë të mbushura me diskutime për surprizat, zënkat dhe largimet e Elisës dhe Emiljos nga shtëpia. Algeni ka qenë më i mërzituri nga banorët për këtë fakt, pasi kishte marrëdhënie të mira me të dy. Në shtëpi kanë filluar menjëherë edhe debatet. Alma ka debatuar me Ermelën, ndërsa Klaudia me Edisonin, sepse ai ka dalë nëpër shtëpi sërish me të mbathura.

Tre të nominuarit
Thuajse në përfundim të spektaklit të së shtunës, banorët kanë zgjedhur secili nga dy banorë për t’i nominuar. Janë thuajse të njëjtit e javës së shkuar. Pas largimit të Elisës, Ermela, Ervini dhe Algeni vihen sërish përpara zgjedhjes së publikut. Gjatë spektaklit të ardhshëm, njëri prej tyre duhet të lërë shtëpinë.

Ogreni fiton dhomën e liderit, fton Nedën
Ogreni ka qenë fitues i lojës për liderin e shtëpisë, të organizuar gjatë javës. Si rrjedhim, përveç imunitetit njëjavor, Ogrenit i kanë ardhur edhe të tjera surpriza. Për të është përgatitur një dhomë e posaçme ku mund të rrijë për një javë rresht, të shohë filma në televizor dhe këtë dhomë mund të zgjedhë ta ndajë me një person, të cilin mund ta ndërrojë me një të dytë gjatë javës. Ogreni zgjedh Nedën, duke u shprehur se e vlerëson shumë për forcën e treguar gjatë asaj nate. Neda shkon në dhomën e liderit ku ndodhej Ogreni, përqafohen dhe fillojnë të bisedojnë. Ogreni i thotë se ka frikë se mos e ka vënë në siklet, sepse ka zgjedhur atë për ta kaluar javën. Neda i thotë se nuk është vënë absolutisht në siklet nga ky fakt. “Kemi kohë të bëjmë muhabet sa të duam ne të dy”, - i thotë Neda.

Ogreni dhe Neda keqkuptohen
Për ta bërë atmosferën më romantike, në dhomën e liderit ka një tavolinë të mbushur me fruta, verë dhe ushqime për darkë. Të gjitha janë vetëm për Nedën dhe Ogrenin, por duket se dy banorët nuk e kanë shijuar siç duhet. Shkak bëhet një batutë e thënë nga Neda para se të shkonte në dhomën e liderit, të cilën Ogreni fillon ta komentojë gjatë. Neda ka sqaruar se ishte e gjitha një batutë për të çdramatizuar situatën, por Ogreni vazhdon t’i bëjë vërejtje duke iu referuar edhe sjelljeve të saj të mëparshme. Neda i përgjigjet se ajo nuk mund të jetë femra që ai do të donte dhe që ajo do të donte të ishte në raport me të. Më pas, Neda është shumë e kursyer me fjalët dhe në dhomë bie heshtje. Pas kësaj Ogreni përpiqet ta qetësojë situatën, duke i kërkuar Nedës të flasin për të tjera argumente, por ajo nuk reagon. Kalon një farë kohe dhe biseda merr rrjedhë tjetër. Ogreni e pyet se ku mund të jetë vendi më i përshtatshëm për vendosjen e bredhit, të cilin ia bëri surprizë ‘Vëllai i Madh’ nga babai i tij. Neda mendon se duhet ta lërë në oborr. Ogreni më pas fillon t’i tregojë për të atin dhe ngjashmërinë me të, për gjyshin dhe për familjen e tij.

Puthja e parë mes Marielit dhe Mirjetës
Mirjeta dhe Marieli kanë treguar çfarë ndiejnë për njëri-tjetrin në dhomën e rrëfimit, gjatë spektaklit. Publiku ka mundur të ndjekë edhe një klip me historinë e tyre, por jo banorët brenda shtëpisë. Pasi Mirjeta dhe Marieli kanë dalë nga dhoma e rrëfimit, banorët kanë dashur të mësojnë se çfarë ndodhi atje. Ata nisin të tregojnë, ndërkohë që të gjithë në sallon thërrasin: “Puthje”. Marieli puth Mirjetën në faqe dhe më pas në buzë. Banorët qeshin dhe i përqafojnë të dy bashkë, kështu deklarohet lidhja e tyre.

Algeni ndihet keq për daljen e Emiljos
Banorët në kuzhinë rrinë të mërzitur, ndërkohë që Marieli dhe Shkëlqimi gatuajnë. Algeni ndihet shumë keq nga dalja e Elisës dhe Emiljos gjatë spektaklit. Ai pati disa momente lëkundjeje, gjatë të cilave tentoi të largohej bashkë me Emiljon. Algeni thotë se sipas tij, publiku nuk ka bërë zgjedhjen e duhur duke nxjerrë Emiljon para Edisonit. Banorët japin opinionet e tyre rreth këtij fakti. Alma thotë se nëse do t’i duhej të zgjidhte midis Marielit dhe Petritit, ajo do të kishte zgjedhur padyshim Marielin, por nëse do të duhej të zgjidhte mes Petritit dhe Edisonit, ajo thotë se nuk i duron dot hipokrizinë dhe do të kishte zgjedhur me shumë dëshirë Petritin.

Komentojnë daljen e Elisës dhe Emiljos
Banorët ulen të hanë darkën dhe fillojnë të diskutojnë për daljen e Emiljos dhe Elisës. Ata thonë se Emiljo u eliminua pasi ishin vetëm disa minuta televotim, dhe kjo gjë e dënoi njësoj si Kreshnikun. Alma thotë se i vjen shumë çudi për daljen e Elisës, sepse mendonte se ajo ishte më e preferuara e publikut, por rezultoi që nuk ishte ashtu. Edisoni shprehet se Elisa e tregoi veten vetëm 5 minutat e fundit të qëndrimit në shtëpi, para se të dilte, sepse gjithë kohën e saj e kalonte para pasqyrës.
Alkena shprehet për Algenin se, nuk e dinte përse u soll në atë mënyrë dhe kërkonte që të dilte bashkë me Emiljon, por u thotë banorëve se asnjë nuk duhet të përsëritë atë që ai bëri.
Ergysi thotë se i vjen keq për gjendjen e Elisës para se të dilte. Marieli thotë se ajo mbase mund të ndihet edhe më mirë jashtë sesa mund të ishte brenda shtëpisë. Edisoni është shprehur se po mendonte që do të zgjidhnin atë për ta larguar, duke e justifikuar frikën e tij me mënyrën se si është sjellë gjatë një jave të qëndrimit në shtëpi.

Ogreni: Sa ‘femër’ është Neda?
Biseda e Ogrenit dhe Nedës në dhomën e liderit rrotullohet rreth feminilitetit. Ogreni thotë se një femër duket se sa është e tillë që në mënyrën e të veshurit, të të sjellurit, por edhe në mënyrën e fjalorit dhe fjalëve që përdor kur i drejtohet dikujt. Ai vë në dukje disa shprehje të Nedës kur i drejtohet dikujt si: “dëgjo vëllain”, “dëgjo mor burrë“, dhe shprehet se nuk i pëlqen aspak që t’i dëgjojë këto fjalë të dalin nga goja e saj. Neda e kalon me të qeshur dhe Ogreni thotë se kjo gjë e mërzit më shumë. Neda kundërpërgjigjet, duke thënë se kjo bisedë është bërë për herë të parë mes saj dhe një mashkulli. Neda thotë se janë të paktë meshkujt që kërkojnë që femra të vishet me taka dhe jo me atlete. Më pas Ogreni i tregon Nedës për vitet e shkollës dhe për motrën. Ai vazhdon të tregojë për punën që do të donte të bënte dhe shprehet se puna në terren është më e përshtatshme për të se sa puna në zyrë të mbyllur. Biseda ndalet edhe te shprehja e Blendit, opinionistit të ‘Big Brother’, i cili gjatë spektaklit theksoi se fituesja morale e lojës së liderit ishte Ermela. Kjo e bezdis Ogrenin, i cili mendon se Neda e meritonte këtë fitore. Neda i thotë Ogrenit se pëlqen mënyrën e të perceptuarit të gjërave nga ana e tij. Ogreni rri duke menduar dhe më pas thotë se ka disa momente që të sjellin disa përjetime të brendshme, aq të forta sa të bëjnë të shumëzosh çdo gjë tjetër me zero, por kjo vetëm për një natë, pasi vjen e nesërmja dhe duhet të fillosh një tjetër ditë “si luan”.

Alma për Ermelën: Ajo po shfrytëzon Vinin
Alma dhe Marieli bisedojnë në dhomën e gjumit. Ajo i thotë Marielit se është shumë e nervozuar dhe i tregon atij për debatin që ka pasur me Ervinin dhe se i ka thënë atij: “Me mua ule zërin”. “Unë mendoj që ajo po shfrytëzon Vinin”, - thotë Alma për Ermelën, dhe më pas tregon situata të tjera lidhur me ata të dy.

Neda dhe Ogreni flenë në dhomën e liderit
Edhe pse kanë qenë në dilemë nëse duhet të flinin në dhomën e gjumit me të tjerët apo në dhomën e liderit, Neda dhe Ogreni kanë zgjedhur këtë të fundit. Pasi veshin rrobat e gjumit, shkojnë të flenë. Fillojnë të bisedojnë, dhe Neda thotë se në shumë situata ajo mendon njësoj si Ogreni, por në ndonjë moment ajo ka nevojë për mendimin e tij për të qenë më e sigurt. Ogreni thotë se në momentin që shkuan në dhomën e gjumit, ai kuptoi që atje gjithçka është shumë ndryshe nga ambienti ku ata janë. Ata flasin për Elisën dhe Ermelën, për lidhjen e kësaj të fundit me Ervinin dhe për figurën që ajo transmeton. Neda i thotë Ogrenit se nëse do të mungonte ai, do të kishte mungesë thelbësorë brenda shtëpisë. Më pas ata përqafohen me njëri-tjetrin dhe rrinë ashtu, të përqafuar për minuta të tëra. Ora shënon rreth 07:30, kur ata vendosin të flenë gjumë.

Banorët debatojnë me t’u zgjuar
Algeni është i pari banor që zgjohet. Shkon në kuzhinë për të bërë kafen, e pastaj shkon të zgjojë banorët e tjerë për të bërë buxhetin. Algeni merr një tabaka dhe bën zhurmë, por banorët acarohen. Duke komentuar me Shkëlqimin për largimin e Elisës dhe Emiljos, ai ka thënë për Ermelën: “Fitoi kjo zhulsja”. Banorët mblidhen në kuzhinë, ndërkohë që Alma dhe Ermela fillojnë të debatojnë. Alma i thotë Ermelës se ajo duhet të ketë respekt për të dhe t’i drejtohet në emër, ashtu siç i drejtohet edhe ajo. Alma i thotë se është turp veprimi që ajo bën, duke kthyer filxhanin çdo ditë. Ermela thotë se do të kishte pasur respekt për të në ditët e mëparshme, por tani nuk ka më respekt për të. Nga ana tjetër, Klaudia dhe Edisoni debatojnë për të disatën herë, sepse Edisoni ka kaluar nëpër shtëpi përsëri me mbathje. Klaudia i thotë se ai duhet të ndryshojë, por Edisoni shprehet se ai ashtu është dhe nuk ka ndërmend të ndryshojë.

Petriti tregon për lidhjet e tij me vajzat
Petriti flet me vajzat për marrëdhëniet dhe lidhjet e tij me të dashurat. Ai tregon se lidhja e tij më e gjatë ka zgjatur për 10 muaj. Petriti shprehet se nuk është xheloz dhe as nuk di që të pengojë të dashurën për asnjë gjë, sepse ajo duhet të vendosë vetë. Ai thotë se në momentin që largohet nga një femër, nuk kthehet, më sepse ia ka dhënë të gjitha mundësitë asaj femre për të mos gabuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›