E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ok bashk

• Dritan YLLI Problemi i plehrave të Tiranës, të hedhura andej-këndej në të gjithë anët e kryeqytetit dhe shqetësimi për largimin e tyre, e kanë “ndotur” disi klimën e shëndetshme politike të ditëve të fundit. Madje rritja progresive e plehrave, ka zbehur një entuziazëm të paparë prej disa kohësh, që rrjedh nga deklaratat e fundit të drejtuesve të opozitës dhe maxhorancës, për një vullnet të ri bashkëpunues për “qëllime të mëdha”! Nuk ka se si të mungojë entuziazmi në popull, kur dëgjohen deklarata frymëzuese të Ramës, Metës, Milos nga njëra anë, Topallit e Mediut nga ana tjetër... etj. Por, qytetarët e Tiranës në këtë fillimviti janë përballur me një shqetësim real, atë të plehrave që shfaqen kudo. Pirgje të tëra me mbeturina që shtohen nga dita në ditë. Krahas rritjes masive të plehrave, kryeqytetasit janë “bombarduar” edhe me konfliktin në rritje se kush e ka për detyrë të eliminojë këtë “gangrenë” të ndotjes së mjedisit. Ndërkohë që palët zihen se kush e ka përgjegjësinë për largimin e plehrave, klasa politike për fat po arrin në konsensuse të mëdha për realizimin e Reformave.    Kryetari i Bashkisë dhe njëkohësisht Kryetar i PS-së, z.Rama në një letër të gjatë, u bënte me dije të gjithë qytetarëve që problemi ishte real dhe se ai bashkohej me shqetësimin e tyre. Por gjithaq kryebashkiaku sqaronte se është Qeveria ajo që ka bllokuar tenderin që përzgjedh firmën pastruese të qytetit. Përfaqësuesit e maxhorancës në pushtetin vendor, pretendojnë të kundërtën. Duket qartë se largimi i plehrave të Tiranës, deri tani ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve të qëllimshme. Ky është një problem, që praktikisht mund të zgjidhet edhe brenda ditës, nëse ekziston një vullnet i mirë. Për më tepër që tashmë po zgjidhen pengesa të mëdha që kanë mbajtur peng reformën zgjedhore apo atë të drejtësisë. Por qeveria duket se më shumë bën sehir dhe fërkon duart nga kjo situatë. Përfaqësuesit e maxhorancës sodisin të ekzaltuar shenjat e pakënaqësisë te qytetarët nga plehrat që tashmë kanë dalë edhe nga kazanët e tejmbushur. Ata harrojnë që duhet të marrin masa dhe të angazhohen seriozisht për largimin e plehrave që po pushtojnë kryeqytetin, ku sigurisht ndodhet edhe selia e qeverisë, shtëpitë e qeveritarëve dhe për më tepër ku rriten edhe fëmijët e tyre. Rastësisht këto ditë një situatë e tillë e invadimit të plehrave, po ndodh edhe në qytetin e Napolit në Itali. Por, ndryshe nga qeveria shqiptare që përpiqet ta shfrytëzojë politikisht situatën e plehrave në Tiranë, qeveria e Prodit është mbledhur urgjentisht dhe po përpiqet që të gjejë zgjidhje dhe rrugëdalje konkrete.   Ky vit ka nisur mbarë, sepse klasa politike po përpiqet që të gjejë gjuhën e përbashkët për realizimin e reformave të mëdha. Dhe kjo vlen për t’u përshëndetur nga të gjithë. Por qytetarët duan ta ndjejnë këtë atmosferë të mirë bashkëpunimi, përmes atyre gjërave që shohin dhe prekin çdo ditë. Por, kur është fjala për arritjen e standardeve jetike për qytetarët, gjithmonë lind një hendek i vështirë për t’u kapërcyer, gjithnjë gjendet një barrierë e pakalueshme. Duket paradoksale, por është e vërtetë. Që bashkëpunimi pozitë-opozitë të jetë serioz dhe i sinqertë për reformat e mëdha që kërkon BE dhe NATO, ai duhet të nisë nga zgjidhja e problemeve të thjeshta, por jetike për qytetarët. Pse të mos nisë ky bashkëpunim nga largimi i plehrave që po iu zënë frymën kryeqytetasve?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›