Pse ky korrupsion e mitmarrje n
• Rexhep MeidaniEshtë thënë dhe stërthënë se korrupsioni politik është më i rrezikshmi, madje bazamenti i të gjithë abuzimeve korruptive në çdo nivel. Në Shqipëri, kjo “tezë” e përgjithshme politike ka gjetur vërtetimin më të plotë në mjaft nga këto vite tranzicioni, kryesisht për faj të politikës dhe protagonistëve kryesorë të saj ...Natyrisht, faza më e ekspozuar e këtij korrupsioni politik është ajo që lidhet me procesin zgjedhor. Kujtoni zgjedhjet e 26 majit dhe pasojat e tyre për të kuptuar peshën reale të kësaj faze! Apo dhe megadushkun e fundit... Sidoqoftë, korrupsioni politik nuk mund të reduktohet apo nuk ka ndodhur vetëm në procesin zgjedhor, ku infrastruktura përgjegjëse, nën trysninë e politikës së vjetër, në ndryshim nga përmbajtja dhe fryma e kushtetutës, është akoma tërësisht partiake, por dhe në të gjithë proceset e tjerë politikë. Në veçanti, sot, korrupsioni politik po mishërohet më mirë dhe më qartë, në qeverisjen e vendit, në nivelin qendror dhe vendor, apo në administratat përkatëse. Pa përjashtuar as procesin legjislativ apo atë të emërimeve të përveçme!... Ndryshe nga shpresa fillestare, me gjithë demagogjinë ekstreme apo luftën virtuale kundër korrupsionit, sot, kudo flitet e dëgjohet për një korrupsion akoma më të shfrenuar qeveritar, bile pa veçuar apo “sakrifikuar” as dhe një emër të përveçëm. Ajo që duket si e re në këtë histori mjaft të gjatë, me abuzime e afera korruptive, është se, aktualisht, gjithmonë e më tepër, po lakohet sidomos emri i shefit, diku në mënyrë të drejtpërdrejtë, diku nëpërmjet pjesëtarëve të familjes së tij. Legjendave të mëparshme, të qarkulluara dikur me mjeshtëri, nuk u duket më “as nami, as nishani”. Dhe nuk duket se për këtë ka shërbyer thjesht e vetëm deklarimi i pasurisë, por dhe mjaft arsye të tjera! Përfshirë këtu që nga premtimet e pa mbajtura, gënjeshtrat e përditshme, apo tymnajat financiare, deri tek trafiku i dikurshëm i naftës dhe i armëve!...* * * Duke dëgjuar akuza të tilla, kudo, në çdo tavolinë e takim, dhe jo vetëm nga një krah i politikës, por nga i gjithë spektri i saj, jo thjesht brenda vendit, por dhe në mjedisin ndërkombëtar, ndjehesh realisht keq. Dhe dëshira mbetet një dhe vetëm një: të pastrohet sa më shpejt politika qeverisëse dhe administrata e shtetit shqiptar nga abuzimi e “babëzia”, që, mesa duket, thjesht është transferuar nga një dorë tek një tjetër. Sidomos nga babëzia e sipërme, që rrezaton lehtësisht poshtë, duke rritur e fuqizuar “korrupsionin kapilar” në gjirin e shoqërisë shqiptare!... Me këto mendime të zymta, por ama ende me mjaft shpresë, nisa të hedh në kompjuter këto radhë. Kur pyeta veten përse po i kthehesha përsëri kësaj teme të korrupsionit politik, pas një trajtimi të shumëfishtë, shpejt e realizova se për këtë më shtyu një pamje televizive e një mbledhjeje të fundit të qeverisë. Jo për llafet e zakonshme, as për shakatë pa kripë me kalendar, por pamja konkrete e personave ngjitur me kryeministrin, njëri prej të cilëve po me urdhër të kryeministrit kishte “humbur” imunitetin... Dhe nuk kishe si të mos mendoje për artificialitetin e virtualitetin e këtij veprimi, apo të gjithë asaj propagande të shfrenuar disa vjeçare për “duar të pastra”! Aq më tepër që në çdo vend të botës, po erdhi puna deri në heqje imuniteti nga forca e jote politike, gjëja e parë që realizohet e bëhet është heqja dorë nga çdo detyrë qeveritare-administrative. Kjo jo vetëm për t’i kthyer kredibilitetin e plotë personit në rast akuze të padrejtë, por dhe për të qëndruar përpara investigimit e penalizmit si qytetar i thjeshtë, për të shmangur çdo dyshim mbi vendimmarrjen juridike-gjyqësore. Në fakt, po vazhdon të ekspozohet pa “teklif” e njëjta situatë. Madje, nga ç’dëgjon, ajo po lexohet si një mbrojtje e drejtpërdrejtë kryeministrore. Dhe nuk mund të vijë aspak mirë!... * * * Duke trajtuar këtë çështje problematike për demokracinë shqiptare, një mik, gazetar dhe analist i talentuar, por dhe njohës jo i keq i fizikës, na ndërtoi dhe një “paralelizëm shkencor”, që ia vlen t’i transmetohet dhe lexuesit. Ja çfarë përmbajtje kanë, në këtë “paralelizëm shkencor”, vetë “zbulimet e Njutonit” në adaptimin e tyre për formulimin e korrupsionit politik:Ligji universal:“Korrupsioni politik (po ashtu si dhe urrejtja politike) as mund të krijohet, as mund të shkatërrohet, ai (ajo) vetëm mund të transformohet nga një kundërshtar politik tek një tjetër, me një humbje gjithnjë e më tepër të kredibilitetit politik”.Ligji i parë: “Një shef politike në ujdi korruptive (dashuri) me një vartës të tij vazhdon të jetë në ujdi (dashuri) me të, dhe nga ana tjetër: një vartës në ujdi (dashuri) me shefin e tij politik e vazhdon këtë ujdi korruptive, përderisa të mos futet në lojë një agjent i jashtëm (një shef apo një vartës tjetër), që zëvendëson përkatësisht njërin prej tyre”.Ligji i dytë:“Raporti i ndryshimit të intensitetit të ujdisë korruptive të një shefi politike për një vartës është në përpjesëtim të drejtë me prurjen monetare momentale tek shefi, ndërsa drejtimi i tij është i njëjtë me ritmin e kësaj prurjeje”. Ligji i tretë:“Forca (ujdia) monetare e zbatuar nga shefi tek vartësi është e barabartë dhe në drejtim të kundërt me forcën (ujdinë) monetare të zbatuar nga vartësi tek shefi”.