E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa: FRD-ja merr angazhimin të jetë shtëpia e vërtetë e së djathtës

oketa-mainE djathta humbi zgjedhjet e 23 qershorit për shkaqe kryesisht morale. Kështu mendon një nga drejtuesit e Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, i cili duke analizuar situatën paszgjedhore sugjeron nevojën e një rindërtimi të strehës së vërtetë të së djathtës, që do mblidhte brenda kategori që tradicionalisht i përkasin këtij spektri politik.

Besoj se ka shumë arsye, një pjesë e madhe e të cilave na detyroi të merrnim iniciativën e krijimit të një force të re të qendrës së djathtë, të Frymës së Re Demokratike. Abuzimi me pushtetin, përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme, arroganca e ish-mazhorancës, korrupsioni, gjendja e vështirë ekonomike e familjeve shqiptare, modeli klientelist, rritja e kriminalitetit, humbja e moralit politik për të përfaqësuar realisht të djathtën, besoj se janë arsyet kryesore të këtij rezultati. Përsa i takon të ashtuquajturës dorëheqje të z. Berisha, është sigurisht një veprim normal dhe për tu vlerësuar, pavarësisht se momentalisht nuk po kuptohet qartë se nga çfarë është dorëhequr z. Berisha. Gjithsesi kjo është një çështje e z. Berisha dhe e raportit të tij me dorëheqjen. Më së shumti është për tu përshëndetur njohja dhe pranimi i rezultatit të zgjedhjeve, shprehet Oketa për Shekullin.

Oketa pohon se FRD e kishte të pamundur koalicionin me PD-në  pasi ne jemi deklaruar se, për ne më i rëndësishëm se pushteti është ndërtimi i shtetit. Për të gjitha arsyet që unë përmenda si shkaqe të dështimit të koalicionit të PD-së, pjesëmarrja jonë në koalicion ishte e pamundur dhe nëse ndodhte, do të shënonte një amoralitet politik. Pavarësisht se politika shqiptare njeh plot veprime të cilat nuk kanë asnjë princip apo moral dhe votuesit përsëri i mbështesin me votë të lirë apo të ndikuar, kjo nuk do të thotë se historia përsëritet gjithmonë njësoj.

Për sa i përket rinovimit të lidershipit të PD, Oketa thekson se më tepër se rinovim lidershipi, me keqardhje them se PD-ja ka nevojë për ndryshim mentaliteti. Kur them ndryshim mentaliteti i referohem jo vetëm funksionimit të brendshëm të asaj force, por edhe raportit të saj me pushtetin dhe votuesit. Shoqëria shqiptare edhe pas 23 vitesh tranzicioni demokratik, vazhdon i kërkon zgjidhjet vetëm tek individët dhe jo tek sistemet të cilat duhet të funksionojnë pavarësisht emrit të individit që i drejton, apo në rast se këta individë e keqpërdorin pushtetin, sistemi është ai që i detyron të largohen. Sot përkrah reformimit të forcave politike, kemi nevojë për reformim të sistemit, korrigjim të kushtetutës, parlament funksional dhe jo shtojcë të qeverisë, kod zgjedhor të ndershëm, sistem drejtësie të pavarur, media të lirë e të pa ndikuar nga interesat e pushtetit të radhës. Të gjitha këto nuk i zgjidh dot një drejtues i vetëm partie, por duhet një vullnet politik i shumicës së forcave politike. E në rast se ky vullnet politik nuk ekziston, qytetarët duhet ti detyrojnë forcat politike ta gjejnë atë.

Oketa shton se morali dhe ideologjia në politikën e sotme janë në kuotën më të ulët të mundshme. Gjithçka bëhet në funksion të pushtetit, duke synuar një mandat katër vjeçar dhe pa u shqetësuar fare se çfarë pasojash kanë në një të ardhme të afërt këto veprime. Kjo vlen për të dyja kampet kryesore të politikës. Përsa i takon FRD-së dhe të djathtës shqiptare, ne marrim të gjithë angazhimin tonë të jemi shtëpia e vërtetë e saj dhe sigurisht do të vazhdojmë të japim kontributin tonë në ringritjen e së djathtës në nivelet që i takon dhe që demokratët e vërtetë meritojnë./A.XH

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›