E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Ndihmat të depozitohen pranë Shtabit të Emergjencës

Ministri i dekretuar i Mbrojtjes bëri thirrje për ndihmë ndaj qytetarëve të preku nga tragjedia
TIRANË- Ministri i dekretuar i Mbrojtjes dhe Kryetari i Komisionit Ndërministror të Emergjencave Civile, Gazmend Oketa i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe biznesmenëve që të kontribuojnë në ndihmë të familjeve dhe të prekurve nga tragjedia e Gërdecit. Sipas tij, të gjithë qytetarët që kërkojnë të ndihmojnë familjet e tragjedisë së Gërdecit duhet që ti depozitojnë ato pranë Shtabit të Emergjencës. Vetëm kështu ka bërë të ditur ai, strukturat shtetërore që po merren me përballimin e situatës do të kenë mundësi që të administrojnë më mirë donacionet për ti vënë ato sa më shpejt në dispozicion të banorëve të prekur nga vala e shkatërrimit të shpërthimit në Gërdec. "Do të dëshiroja të bëja një apel që të gjithë këto ndihma monetare apo ushqimore të vinin në një mënyrë sa më të organizuar. Të gjithë këto institucione që dëshirojnë të ofrojnë ndihmën e tyre të kontaktojnë me shtabin e emergjencave", - tha Oketa. Në mënyrë që të sigurohet një shpërndarje sa më e barabartë e këtyre fondeve midis qytetarëve, duke shmangur çdo mundësi abuzimi, Zëvendëskryeministri kërkoi që donacionet në të holla të adresoheshin në numrat e llogarisë të bëra publike në fondin e ngritur për tragjedinë e Gërdecit. Gjithashtu ai ka gjetur rastin që të falënderojë edhe një herë të gjithë ata qytetarë shqiptar dhe institucione të huaja që me ndihmën e tyre kanë kontribuar sado pak në përballimin e situatës. ""Që nga data 15 mars, dita kur ndodhi tragjedia e Gërdecit ka pasur një sensibilitet maksimal nga qytetarët shqiptarë, qytetarë të thjeshtë, biznesmenë, organizma të ndryshëm, partnerë ndërkombëtarë,të cilët kanë ofruar asistencën e tyre maksimale për të minimizuar dëmet dhe dhimbjet e shkaktuar nga kjo tragjedi", - tha Oketa.
Anëtaret e kryesisë së PS-së vizitojnë të mbijetuarit në Durrës
Tragjedia, gratë socialiste në Durrës
TIRANË- Anëtaret e kryesisë së Partisë Socialiste, Arta Dade dhe Ermelinda Meksi dhe Lindita Nikolla, kanë vizituar dje të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit të strehuar në Kovaleshencën verore të Ushtarakëve në qytetin e Durrësit, ku dhe kanë shpërndarë ndihma simbolike për fëmijët. Duke bashkëbiseduar me banorët e prekur nga tragjedia e 15 marsit, drejtueset e larta socialiste janë interesuar në lidhje me problemet më imediate që shqetësojnë këta banorë. Kështu, problem sipas banorëve të strehuar në këtë qendër, mbetet sidomos mungesa e medikamenteve për të sëmurët dhe pensionistët. Nisur nga ky shqetësim ato kanë garantuar ndërhyrjen e tyre pranë organeve më të larta të shëndetësisë për sigurimin sa më parë dhe falas të të gjitha ilaçeve që mungojnë. "Ne jemi këtu për të zgjidhur problemet tuaja. Ne duam të shikojmë si ecën procedura, si do të zgjidhet kjo situatë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për këtë arsye të gjithë bashkë duhet, që të ushtrojmë presion pozitiv. Lidhur me shqetësimin për medikamentet ne do të shikojmë, që ta gjejmë edhe vetë nëqoftëse nuk kemi mundësi për ta zgjidhur në mënyrë tjetër", - u shpreh deputetja socialiste Arta Dade. Tre gratë socialiste kanë siguruar të mbijetuarit e kësaj tragjedie se kanë përkrahjen morale dhe financiare të të gjithë shqiptarëve në përballimin e kësaj situate dhe rehabilitim sa më parë pranë shtëpive të tyre. "Çdo njësi bashkiake e Tiranës do të jetë këtu me ndihma konkrete, por ajo që është me e rëndësishme është se ne vijmë këtu për të parë realishtse çfarë ju keni nevojë më shumë", - u shpreh kryetarja e njësisë së bashkisë numër 1 në Tiranë, Lindita Nikolla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›