Berisha: Në reformë të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare
Kryeministri paralajmëron ndryshime të mënyrës së funksionimit të institucioneve
TIRANË- Reforma institucionale e paralajmëruar nga shumica qeverisëse menjëherë pas ngjarjes së Gërdecit nuk do të përfshijë vetëm shërbimet inteligjente, por të gjitha organet që përbëjnë sistemin e sigurisë kombëtare. Kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë dje çdo përpjekje për ta kanalizuar këtë reformë vetëm në shërbimet informative. Duke iu përgjigjur interesit të medias kreu i ekzekutivit ka shprehur sigurinë dhe vullnetin e plotë të mazhorancës së tij, për të reformuar të gjitha ato institucione që përfshihen në sistemin e sigurisë kombëtare, të cilat në rastin e Gërdecit, u treguan të paafta për të reaguar në kohë në parandalimin e katastrofës.
Institucionet
Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka ripërsëritur dhe një herë dje vendosmërinë për të reformuar dhe për të bërë më fleksibël sistemin e sigurisë kombëtare. Por ndryshe nga një ditë më parë, dje kryeministri ka zgjeruar gamën e institucioneve që do ti nënshtrohen reformimit, ku përveç SHISH-it dhe SHIU-t, duket se do të përfshihen dhe doganat, policia, prokuroria, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë, etj. "E kam theksuar që institucionet e sigurisë dhe nuk është vetëm Shërbimi, pasi institucionet e sigurisë janë disa, nuk arritën të njoftojnë për rreziqet e të parandalojnë. Nuk është vetëm reforma e Shërbimit Informativ Shtetëror që e zgjidh këtë gjë, por një reformë tërësore e institucioneve të sigurisë kombëtare, të cilat duhet të pësojnë reforma të tilla, p.sh dhe doganat janë institucion i sigurisë kombëtare", - u shpreh Berisha. Por ky hap, sipas tij, do të hidhet vetëm pasi organi i akuzës të nxjerrë përgjegjësit ligjor të tragjedisë së Gërdecit. "Duke përsëritur atë që kam theksuar, që prokuroria të nxjerrë çdo përgjegjësi individuale, dua t'ju sugjeroj që vlerësimet e njëanshme nuk shërbejnë", - shtoi më tej kryeministri.
Reforma
Reformimi i institucioneve të sigurisë kombëtare nuk do të ketë të bëjë vetëm me ndryshimin e drejtuesve të tij. Lideri i mazhorancës ka theksuar dje se ndryshimi i drejtuesve nuk do të kishte asnjë efekt në rezultatet e punës së këtyre institucioneve në të ardhmen në rast se nuk do të reformohet mënyra e organizimit dhe funksionimit të tyre. Për këtë arsye, ai ka paralajmëruar kryerjen e një analize të plotë të mënyrës së funksionimit të këtyre institucioneve. "Për parandalimin e këtyre ngjarjeve ka vetëm një rrugë të sigurt, reformimin. Duhet të bëhet një studim i të gjitha sistemeve, për të parë ku e patën problemin, çfarë ndodhi etj. Reformat dhe shkarkimet janë dy gjëra të ndryshme. Pa reforma, cilindo që të shkarkosh apo vendosësh, nuk e ke sigurinë", - u shpreh Kryeministri Berisha. Ndërkohë, në lidhje me kërkesën e opozitës për dorëzimin e imunitetit të deputetit, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se do ta bënte këtë në rast se një gjë të tillë do ta kërkonte prokuroria.