E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi Kundershtari politik po perpiqet te nderhyje ne proces

Sokol Olldashi akuzoi Lëvizjen Socialiste për Integrim nga Lushnja se po përpiqet të ndërhyjë në procesin zgjedhor në Partinë Demokratike. Ai u bëri thirrje demokratëve të qëndrojnë larg spekulimeve të LSI-së dhe të organizohen në një opozitë të fortë për të kundërshtuar shkatërrimin e shtetit nga blerja e votës dhe pazaret politike

LSI po bën përpjekje të qarta për të ndërhyrë në procesin zgjedhor në Partinë Demokratike. Akuza është e Sokol Olldashit. Nga Lushnja, si kandidat për kreun e PD ai kërkoi nga baza të qëndrojnë larg këtyre spekulimeve, të mos ndikohen nga to. 

“Ka një përpjekje të tmerrshme nga vektorë të majtë, brenda shtypit shqiptar. Po ti shikoni takëmet e analistëve, të cilët nuk gjejnë kurrë asgjë, janë të njëjtët që e luftuan me të gjithë breshërinë  e tyre Partinë Demokratike, para zgjedhjeve. Janë të njëjtët që tani po përpiqen të bëjnë diversion. Janë të njëjtët që na vodhën votat me paratë e pista që vodhën gjatë pushtetit tonë, të cilët po përpiqen të ndërhyjnë në këtë proces. Në Lushnjë, Berat dhe gjetkë ka një përpjekje të qartë edhe nga segmente të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces. Mbajini larg !  Kjo parti është parti e demokratëve. Kjo parti është e grave dhe burrave të lirë që vendosin vetë me mendje të ftohtë se cila duhet të jetë e ardhmja e kësaj strukture, ku bëjnë pjesë të gjithë”, u shpreh Olldashi.

Si në Lushnjë edhe në Berat, Kuçovë dhe Poliçan, Olldashi tha se zgjedhjet për pasuesin e liderit historik të demokratëve, janë një proces vlerash, një garë dinjitoze që i jep peshë vendim-marrjes së anëtarësisë. Ai u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në këtë proces dhe të gjithë bashkë të nisin një veprim të fortë opozitar për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë politike. 

“Kjo parti nuk është krijuar për të ndenjur në opozitë. Demokratët nuk kanë asnjë minutë dhe asnjë ditë kohë për të humbur. Partia Demokratike ka një mision ende të pambyllur: misioni që ka nisur në vitin  ’90, kur është krijuar, misionin që e ka rimarrë në 2005-ën dhe e ka cuar deri në 2013 dhe misionin  që duhet të rimarrë me shpejtësi për të bërë Shqipërinë europiane, atë Shqipëri që kërkohej që ditën e parë të themelimit të saj”, deklaroi ai.

Kundërshtari politik është thyer - tha Olldashi sepse, sipas tij, ende pa marrë pushtetin, koalicioni që ringjalli PPSH-në po rrezon programin e vet. “Shqiptarët  nuk do të pranojnë qe themelet e shtetit të shkatërrohen nga blerja e votës dhe pazaret politike" , shtoi Olldashi. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›