E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet qeverisja korrupsioni edhe 21 janari

Sfidën e ka me të ardhmen.
Ndaj në intervistën për BBC-në, Edi Rama nuk preferon të merret shumë me të shkuarën.
“Mendoj se më takon mua që të sfidoj problemet e vendit, së bashku me këdo që është gati të bëjë një gjë të tillë”.

Eshtë sfidë drejtësia, duke filluar nga procesi i 21 janarit.

“Një nga impenjimet tona është që të ndjekim me të gjithë vullnetin e mundshëm procesin që pritet të sjellë drejtësi dhe të japë vendimin e duhur ndaj të gjithë atyre që janë përgjegjës për 21 Janarin”.

Eshtë sfidë edhe lufta ndaj korrupsionit. Në emisionin “Hard Talk”, kryesocialisti thotë se e ka mundur një herë kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

“Kam dëshmuar, duke drejtuar për 11 vjet Bashkinë e Tiranës, se përmes modernizimit të administratës, mund të eleminosh korrupsionin. Shpresoj që aprovimi nga ana e ndërkombëtarëve që kam marrë në këtë drejtim, është një provë që kjo ka funksionuar”.

Eshtë gjithashtu sfidë, më optimiste, ndoshta, integrimi I vendit. Pas zgjedhjeve, Rama thotë se mund të shpresojmë.

“Më në fund, pas shumë kohësh, pas shumë përpjekjesh, pas shumë sakrificash nga shqiptarët dhe nga opozita që pata privilegjin të drejtoj, arritëm që të bëjmë zgjedhje normale dhe mendoj se pasi e kaluam këtë test, tani, mund te jemi optimistë për marrjen e një përgjigjeje pozitive mbi statusin e vendit kandidat”.

Rama pohoi se ka një program special për bankat dhe stabilitetin e sektorit financiar që do të përmirësojë buxhetin e shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›