E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: LDGSH të ketë statusin e një dege të PD-së

1003315_357081457727726_1868921157_nKandidati në garën për Drejtuesin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka premtuar dje për një raport të ri përfaqësimi në parti, të grave dhe vajzave. Në një takim të posaçëm me drejtuese dhe aktiviste të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Sokol Olldashi propozoi që LDGSH funksionojë si një degë brenda strukturës se Partisë Demokratike. Në mbrojtje të kësaj teze, Olldashi deklaroi se me projektin e tij, gratë e forumit përfitojnë më shumë të drejta politike.
Deklarata
Duhet të jetë e shpejtë koha, kur Partia Demokratike, si strukturë politike dhe Lidhja Demokratike e Gruas si organizatë partnere, të ulen bashkë dhe të negociojnë për statusin e ri, që nuk do të trajtojmë më LDGSH-në , thjesht si organizatë partnere, por që duhet ti japë, asaj statusin e një dege me të drejta të plota, nga pikëpamja formale statutore. Kjo do ti japë Lidhjes Demokratike të Gruas, disa të drejta që sot nuk i ka. Ne praktikisht i japim një zhvillim cilësor statusit të zonjave brenda strukturës politike dhe LDGSH-së një mekanizëm të ri propozimi dhe përfaqësimi brenda të gjithë strukturës së Partisë Demokratike, tha ai.
Takimet
Sokol Olldashi më herët zhvilloi takime me anëtarë dhe drejtues të Grupseksioneve të PD-së në Njësitë: 5, 7 dhe 11 në Tiranë. Olldashi kërkoi të zbatohet një format i riorganizimi në degën e Partisë Demokratike në Tiranë, për të mirëmenaxhuar territorin elektoral në Metropolin, e populluar me afro 1 milionë banorë. Ne kemi nevojë urgjentisht të ndryshojmë strukturën e organizimit të Partisë Demokratike në Tiranë. Është e pamundur që Kryetari i Partisë Demokratike në Tiranë, gjatë një mandati 4-vjeçar të arrijë të takojë të gjitha seksionet e degës që ka në parti. Pra domosdoshmërisht duhet të ndajmë këtë strukturë, në disa degë. Në kemi të njëjtën strukturë unike organizative në Poliçan, që është një qendër e vogël urbane dhe të njëjtën në Tiranë që është 1 milionë banorë, vuri në dukje ai. Në zbërthim të paketës për ristrukturimin e PD-së, Kandidati Olldashi ritheksoi propozimin për rikthimin në Kryesinë e PDSH-së, të drejtuesve politikë në rrethe, për të zotëruar të gjithë terrenin e partisë. Olldashi zhvilloi takime edhe me strukturat e PD-së në Bërzhitë dhe në Kamëz, nga ku përcolli mesazhet se demokratët do të përfshihen shumë shpejt në aksionet opozitare për tu rikonfirmuar shumicë. Kjo Parti nuk ka kohë për të ndenjur në opozitë. Kjo parti është bërë për të qeverisur Shqipërinë dhe për ta çuar këtë vend, aty ku ne të gjithë kemi kërkuar që në Dhjetorin e 90-ës. Kjo parti duhet një orë e më parë të rikthehet forcë shumice, forcë qeverisëse në Shqipëri, përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›