Kompensimi i pronarëve, në shtator ndahet fondi prej 300 mln lekësh
AKKP, Toro: Kategoritë që do të përfitojnë të parat dhe ato që përjashtohen
Fondi prej 300 mln lekësh për kompensimin e pronarëve për vitin 2013 do të nis të shpërndahet në muajin shtator. Konfirmimi vjen nga nëndrejtori i AKKP-së Agim Toro i cili ka shpjeguar dje në media mënyrën se si do të ndahet fondi dhe kategoritë që do të përfitojnë të parat.
Përfituesit
Nisur nga vendimi i fundit i Qeverisë nëndrejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Agim Toro, shprehet se kriteret për të përfituar nga fondi prej 300 milion lekësh janë të qarta dhe nuk lënë hapësira për keqkuptime. Toro sqaron më tej se pronarët të cilët do të përfitojnë kompensim për subjektet e shpronësuara, janë vetëm ata që kanë vendimet më të vjetra dhe kur vendimi i Komisionit të Pronave është i formës përfundimtare.
Aplikimi
Për përfitimin e këtij fondi, pronarët mund të aplikojnë 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të qeverisë ( të datës 17 korrik). Ndërkaq, të gjithë pronarët që kanë aplikuar për përfitim nga fondi i vitit 2012 dhe nuk kanë fituar, mund të ri aplikojnë vetëm me anë të një kërkese, pasi dosja quhet e vlefshme. Afati minimal kur do të nisë shpërndarja e fondit prej 300 milion lekësh, që do të përdoret për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, parashikohet të jetë muaji shtator i këtij viti. E rëndësishme është të theksohet që ky fond nuk mund të digjet dhe nuk mund të përdoret, përveçse për kompensim, theksoi dje Agim Toro.
Vendimi
Në mbledhjen e kësaj të mërkure qeveria miratoi kriteret e reja për kompensimin e pronarëve për vitin 2013. Kompensimi do të bëhet për pronën e llojit truall, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Për pronarët të cilëve iu është njohur prona për kompensim së pari kërkohet që vendimi i njohjes së pronës dhe i të drejtës së saj për kompensim të jetë përfundimtar; së dyti kërkohet që vendimi me të cilin aplikohet të mos jetë trajtuar më parë me kompensim si në të holla, ashtu edhe fizik dhe së treti, kompensimi i pronës së llojit truall të kryhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.