Pa rrugë nuk ka rritje të prodhimit bujqësor

Sokol Olldashi takim me banorët në fshatrat Karavasta e Re, Karavasta e Rremas
Takimet e kreut të grupit të kandidatëve të PD për qarkun e Fierit, Sokol Olldashi, me banorët e rrethit të Lushnjës kanë vijuar në fshatrat Karavasta e Re, Karavasta e Rremas. Olldashi në këto takime ka folur për rritjen e investimeve nga qeveria, duke theksuar se rritja e prodhimeve të tyre dhe përmirësimi i jetës social-ekonomike ka ardhur si rezultat i rritjes së investimeve të kryera nga qeveria Berisha në infrastrukturë. “Pa rrugë Kolonja, pa rrugë ka qenë Mbrostari, pa rrugë Karavastaja, pra i gjithë territori i qarkut ka qenë pa rrugë dhe si mund të pretendonim ne për rritjen e prodhimit bujqësor kur mungonin rrugët. Si do të dilnin në treg fermerët kur për të ardhur nga zona e Semanit në Tiranë duheshin 6 orë. Pra, janë një varg investimesh ato që ndryshuan situatën në zonat rurale”, theksoi Olldashi. Në takimin me banorët e fshatit Karavasta e Re, Olldashi u ndal te investimet në shkolla. “I kemi gjetur shkollat me një kompjuter për 1000 nxënës, sot jemi në 1 për 20, 500 herë më shume dhe ne synojmë edhe për më mirë", tha ai. Më pas ai u takua me banorët e Rremasit, duke theksuar se “kjo komunë është integruar plotësisht në bazë të investimeve të fuqishme”.